Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nënshkruhet kontrata mbi 70-milionëshe për energji

 
   

Ministria e Ekonomisë dhe konzorciumi fitues “Orllati”, kanë nënshkruar kontratën për ankandin e parë solar në Kosovë për centralin prej 100 megavatëve në Kramovik të Rahovecit.

Kompania fituese do të investojë mbi 70 milionë euro në Kosovë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se ky projekt është në dobi të sigurisë energjetike, qytetarëve e ambientit. Shpreson që kjo gjeneratë të jetë e fundit sa i përket problemeve me energjinë.

“I gjithë ky projekt është përkrahur nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar. Qeveria Amerikane dhe USAID kanë qenë partner kyç në proceset tona kryesore në sektorin e energjisë. Ky ankand do të jetë vetëm i pari prej shumë sosh që do të zhvillojmë. Kosova po dëshmon se po bëhet një mjedis i favorshëm dhe i sigurt në sektorin e energjisë dhe jo vetëm. Shpresoj që të jemi gjenerata e fundit që mund të ndjejmë rrezikun e një krize të energjisë. Prandaj ministria dhe qeveria jemi zotuar në atë që disa e quajnë strategji energjetike shumë ambicioze. Dua të falënderoj kompaninë Orllati që na ka dhënë besimin për tu bërë partner i ynë në sektorin e energjisë. Presim me padurim që të punojmë se bashku në zbatimin e këtij projekti në dy vitet e ardhshme”, tha ajo.

Ndërsa, përfaqësuesi i kompanisë Orllati, Avni Orllati tha se dobitë e këtij projekti do të jenë të mëdha për Kosovën.

“Me krenari mblidhemi sot për të nënshkruar këtë kontratë historike. Kjo ngjarje shënon një hap vendimtar në angazhimin tonë për një të ardhme më të qëndrueshme. Përparësitë e këtij projekti janë të shumta. Ajo do të nxisë edhe krijimin e vendeve të reja të punës”, tha ai.