Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nënshkruhet marrëveshja për shkëmbimin e kadetëve mes Kosovës e Kanadasë

 
   

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit për Shkëmbimin e Kadetëve mes Qendrës për Studime Universitare të FSK-së dhe Kolegjit Ushtarak Mbretëror Saint-Jean në Kanada

Kjo marrëveshje historike do të mundësojë shkëmbimin reciprok të kadetëve gjatë semestrave dhe viteve akademike, duke filluar nga semestri i dytë i vitit akademik 2024/2025.

Nga fillimi i vitit 2025, kadetët e FSK-së do të kenë mundësinë të ndjekin një semestër studimesh në Kanada, duke shkëmbyer përvoja dhe njohuri me homologët e tyre kanadezë.

Sipas marrëveshjes, kjo iniciativë do të kontribuojë në zhvillimin profesional të kadetëve të FSK-së, avancimin e programit “Nëntoger në Forcat e Armatosura” dhe forcimin e ndërveprueshmërisë ndërkombëtare të FSK-së.

Gjeneral Jashari e ka cilësuar këtë bashkëpunim si prioritet për përmirësimin e edukimit ushtarak dhe rritjen e profesionalizmit të kadetëve dhe oficerëve të FSK-së.

Ai ka theksuar rëndësinë e krijimit të mundësive ndërkombëtare për Qendrën e Studimeve Universitare, duke kultivuar kulturën e bashkëpunimit me shtete aleate që nga fillimi i karrierës ushtarake.

“Nënshkrimi i këtij Memorandumi është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një nivel ndërkombëtar dhe rritjes së ndikimit të saj në arenën globale”, thuhet në njoftim.