Çështja e inceneratorëve ka ‘plasur’ sërish. Ka qenë SPAK i cili të premten depozitoi kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit për ish zv/kryeministrit Arben Ahmetajt. Mbledhja e Këshillit të Mandateve, e cila duhet të japë autorizimin për heqjen e imunitetit është duke e shtyrë këtë vendim prej 3 ditësh.
Shefi i Organizimit të PD-së, Klevis Balliu është shprehur mbi seancën e sotme në Parlament, ku nuk kanë munguar ‘përplasjet’ mes opozitës dhe mazhorancës. Deputetët dhe Ministrat, ka thënë Balliu kanë dale zyrtarisht në mbrojtje të kësaj afere korruptive.
Klevis Balliu: Sot është e qartë që ajo çfarë ka ndodhur në Parlamentin shqiptar ishte një rast unikal, ku qeveria, deputetë dhe ministra morën në mbrojtje aferën korruptive të inceneratorëve e cila varfëron qytetarët shqiptarë çdo ditë duke u marrë atyre vetëm për Tiranën 80 mijë euro në ditë.
Në një intervistë në FaxNews, me gazetaren Rovena Neziri, Balliu ka ‘numëruar’ zyrtarët e shumtë të qeverisë të cilët tashmë ndodhen pas hekurave. Një qeveri kandidate për në burg, ku megjithëse është shpallur aferë korruptive, ajo vazhdon të varfërojë qytetarët shqiptarë, ka thënë ndër të tjera Shefi i Organizimit të PD-së.
Balliu: Nuk është çështja e një organizimi të mirëfilltë, aty duhet bërë gjithçka kudo. Deputetët në burg, ministrat në burg, një kryetar bashkie është arrestuar sot. Janë një qeveri dhe parti për burg. Afera e inceneratorëve nuk ndalon, vazhdon bën pagesa. Janë të gjithë të përfshirë në afera korruptive. Kjo qeveri është kandidate për burg.
Në cilin vend ndodh që shpall një aferë korruptive dhe ajo nuk ndalon.
Problemi që ka opozita me zyrtarët e mazhorancës, ku Balliu nuk kursehet duke i etiketuar “hajdutë ordinerë”, është që janë duke varfëruar Shqipërinë duke bashkëpunuar me banda kriminale për të mbledhur vota dhe më pas të shpërblehen me aferat korruptive e përmendura vazhdimisht dhe në media.
Balliu: Problemi që ka opozita me këta hajdutë ordinerë, është që varfërojnë shqiptarët dhe Shqipërinë.
Arsyeja që pensionet nuk rriten është që i kanë kaluar 105 milionë euro inceneratorëve. Nëse në Shqipëri qytetarët janë më të varfrit në Evropë, është pasojë e këtyre aferave.
Kjo qeveri 3 ditë më parë, bandat e veta, deputetët, u kapën duke rrahur një qytetar sepse kishte denoncuar në polici.
Bandat që Edi Rama i thërret që të vjedhin vota, shpërblehen me afera korruptive, si incenreatorët, guroret e të tjera.
Shefi i Organizimit të PD-së, veçon kryeministrin Edi Rama si kreun e ‘bandës kriminale’, për të cilin thotë se ai është që ka ligjin dhe asgjë nuk miratohet pa firmën e tij. “Nëse Ahmetaj dënohet me 1 vit burg, Rama duhet të dënohet me 100 vite”, ka thënë Balliu.
Balliu: Procedura për imunitetin duhej të ishte mbyllur. Ata po i japin kohë që ta zgjidhin çështjen. Të gjithë në burg do shkojnë. Po shikojnë se si t’ia mbathin, sepse Edi Rama kërkon ti fusë në burg për të shpëtuar lëkurën e tij. Edhe Felaj, Spiropali apo i shoqi në burg do shkojnë.
Edi Rama do të servirë këto koka turku, ndërkohë që afera do të vazhdojë.
Nuk është çështje e Ahmetajt, është çështje hajdutërie dhe kriminale. Ahmetaj është një ushtar aty, këta nuk martohen dot pa lejen e Edi Ramës, jo të bëjnë afera me qindra miliona euro. I ka përfshirë Edi Rama dhe është ai që ka përqindjen më të madhe.
Nëse Ahmetaj dënohet me 1 vit burg, Edi Rama duhet të dënohet me 100 vite. Është ai koka e incineratorëve. Është ai që bën ligjin në PS, është ai që ka fuqinë të japë firmat.
(Xh.H/FaxWeb.al)