Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Nëse i preket një fije floku…”/ Sherri mes ish-prefektit të Shkodrës dhe fajdexhinjve që i kërcënonin djemtë

Ilir Sokoli ishte një tjetër person pjesë e dosjes voluminoze për ish-prefektin e Shkodrës, Paulin Radovani, i cili u kërcënua pasi djemtë e tij morën para me fajde.

Si fillim ai arrestohet e më pas lihet me arrest shtëpiak. Në kontrollin e banesës atij i janë gjetur dokumente, letra e blloqe shënimesh ku dalin në pah shuma të ndryshme parash të dhëna hua djemve të Radovanit. Lista ishte e gjatë edhe ndaj huamarrësve të tjerë.

Sipas Prokurorisë, ky person në 26 janar të vitit 2019 është takuar me Paulinin dhe kishte shkuar së bashku me dy persona të tjerë. Sokoli i pohon Paulinit “që na ke marrë në qaf na ke varros”.

Në bisedat e përgjuara, përmendet edhe lagja e Dobraçit në Shkodër, që përbën zonën e grupit të fuqishëm të fisit Bajri. Një familje e fortë e përmendur për përplasjen me familjen Lici me bazë në lagjen Kiras. Këto dy familje në Shkodër janë përmendur shpesh për dhënie me fajde të shumave të mëdha të parave por asnjë hetim i tillë nuk është finalizuar.

“Unë 70.000 ja kam E.M se nuk ja jepte dy djemve e hina vet garant. Kemi lekë dhe në Dobraç se kemi shku me T… T e B i din si unë, o prefekt 1.000 dollar a Euro me të lujt që të them unë e ça ti përmend me emra e me fiks domethënë ti mu nuk më ke asnjë lek, unë kam tan hallin me heq njerzit mar.”– thotë Sokoli.

Në ato momente, të bisedës kuptohet paralajmërimi që Radovani u kishte bërë fajdexhinjve. Personi i dytë ndërhyn dhe thotë të mos bëjë denoncim pasi mbi të gjitha, ata janë miq dhe kërkojnë paratë që u takojnë.

“Nëse ti merresh me këto kërcënimet që thua do futet shteti e do futet kjo, dëgjo se fjalët e tepërta janë fukarallëk e bëjnë kështu kërcënimesh. Nëse ti ke plan tu japësh atyre të tjerëve se janë më trima, zotëri në qoftë se këtij i preket një qime floku si kemi me bo muhabet bashkë. Im vëlla i ka ndenjur më shumë me fëmijët e tu se sa me mu.”– thotë Radovani.

Në tetë faqe blloku që iu sekuestrua Ilir Sokolit, ka shënime të tilla me emra konkretë të cilëve ai iu kishte dhënë para me fajde. Këto borxhe ishin marrë me nga 3 deri në 5% interes.

Përpos të gjitha të dhënave, gjykata vendosi pushimin e procedimeve penale për personat e përmendur më lart.