Zvonko Veselinoviqi dhe Milan Radoiçiqi janë dy figura të njohura në Kosovë për aktivitet e tyre të dyshimta e kriminale.
Madje, Radoiçiqi tashmë është i kërkuar ndërkombëtarisht për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës.
Mediumi serb ka shkruar dje një shkrim të gjatë për lidhjet e Milan Radoiçiqit, i kërkuar nga Kosova për sulmin e armatosur në Banjskë, me laboratorët e drogës në veri të Kosovës, të cilat Policia e Kosovës i kishte zbuluar dhe asgjësuar.
Përveç këtyre lidhjeve, BIRN-i në Serbi ka shkruar edhe për marrëdhëniet në mes të Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radoiçiqit, dy figura të dyshuara për krime të ndryshme në veri të Kosovës.
Sipas BIRN-it serb, Veselinoviqi është figura mbizotëruese në këto raporte.
“Nga një burim në Kosovë, BIRN-i mëson edhe disa detaje rreth marrëdhënies mes Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radoiçiqit. Ata thonë se Zvonko Veselinoviqi luan një rol dominues në këtë marrëdhënie: “Nëse Zvonko i thotë – Milan, mos ha, ky nuk guxon të hajë”, përshkruajnë burimet” – raporton BIRN-i serb.
Në tekst theksohet se Veselinoviqi ka kohë që është larguar nga Kosova, por gjatë kohës sa ishte në Kosovë, sipas BIRN-it serb, ai kishte lidhje me mafinë shqiptare. Duke u bazuar në burimet e tij, BIRN-i serb shkruan se gjatë kohës sa Veselinoviqi ishte në Kosovë, “ai flinte më shumë Prishtinë sesa në Mitrovicë”.
“Më shumë ka fjetur në Prishtinë se në Mitrovicë. I njëjti burim thotë se Veselinoviqi është në evidencën e Policisë së Kosovës për shkak të veprave të shumta penale, por se për shkak të lidhjeve me mafian shqiptare, ka arritur t’i shmanget ndjekjes penale” – vazhdon shkrimi i BIRN-it në Serbi.
Ku është Milan Radoiçiqi?
Vendndodhja e Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, që mbi supe ka disa vepra të rënda penale, nuk dihet saktësisht. Megjithatë, për vendndodhjen e tij ka raportime mediale dhe qëndrime të liderëve të Kosovës.
Në lidhje me vendndodhjen e Radoiçiqit ka shkruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në një shkrim të datës 19 nëntor, Kurti vlerësoi se në Rashkë të Serbisë po ngjante “riorganizimi paramilitar e terrorist” i Radoiçiqit dhe grupit të tij.
“Në Rashkë të Serbisë, po ngjan riorganizimi paramilitar e terrorist i Millan Radoiçiq dhe grupit të tij, me instruksione dhe mbështetje të shtetit të Serbisë.
Të premten e 10 nëntorit, ai ka udhëhequr një takim me rreth 40 politikanë serbë e zyrtarë të komunave ilegale nga Kosova. Në mbledhjen e mbajtur në shtëpinë e kulturës në Rashkë, ai kishte pranë Svetllana Milladinov, zëvendësen e Petar Petkoviqit, koordinatorit të të ashtuquajturës zyrë të Serbisë për Kosovë” – theksoi Kurti, duke shtuar se në këtë takim kanë marrë pjesë edhe kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, dhe nënkryetarët e saj, Dragisha Milloviq dhe Dalibor Jevtiq.
Një muaj më parë, BIRN-i në Serbi ka raportuar për vendin ku po qëndron Milan Radoiçiqi, njeriu që dyshohet edhe për vrasjen në veri të Kosovës të ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Sipas këtij mediumi, Radoiçiqi po qëndron lagjen “Dedinje”, në pjesën ndoshta më të pasur të Beogradit, ku dikur qëndronte edhe ish-diktatori i Jugosllavisë, Josip Broz Tito.
Në shkrimin e BIRN-it serb, disa pjesë të së cilit i botoi edhe Nacionale, Radoiçiqi po qëndronte në një adresë të kompanisë “RAD 028” nga Zveçani. Në fakt, siç raportuan mediet serbe, Radoiçiqi ka dhënë dorëheqje javë më parë nga kjo kompani, duke ia transferuar hisen e tij vëllezërve Zvonko dhe Zharko Vesiloniviq, biznesmenë kontraversë dhe të dyshuar për vepra penale.
“Në atë adresë ndodhet një ndërtesë me sipërfaqe 1161 metra katrorë, e cila ka tre apartamente dhe nëntë garazhe. Pronar i njërës prej banesave, një banesë pesëdhomëshe me sipërfaqe 245 metra katrorë, është kompania tashmë e përmendur “Rad 028” me seli në Zveçan. Në të njëjtin objekt në Dedinje, kompania “Rad 028” nga Zveçani posedon edhe tri garazhe nga 16 metra katrorë. – shkruante BIRN-i.
BIRN-i ofronte informacione edhe për fqinjtë e Radojiçiqit.
“Në njërën prej tyre, e cila është strukturalisht identike me ndërtesën në të cilën ishte regjistruar Radoiçiqi, pronar i njërës prej tre apartamenteve është Nikolla Petroviqi, kumbari i presidentit serb, ish-drejtor i ndërmarrjes publike Elektromrezha Srbije, i njohur për pasurinë dhe bizneset fitimprurëse të zhvilluara nga kompanitë e tij të shumta” – shkruante tutje BIRN-i, që pasqyronte edhe një historik të gjatë të prejardhjes problematike të pasurisë së Radoiçiqit e Veselinoviqit.