Kosova do të përfaqësohet nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në mbledhjen e nesërme të gjashtë vendeve të rajonit në CEFTA. Megjithëse përmes fusnotës, në Lëvizjen Vetëvendosje e konsiderojnë sukses përfaqësimin e Kosovës në CEFTA pa UNMIK-un. Sipas partisë në pushtet në mbledhjen e nesërme pritet të miratohen një grup marrëveshje teknike që janë diskutuar me muaj të tërë të cilat lehtësojnë tregtinë e lirë për vendet e rajonit. Në anën tjetër, në Partinë Demokratike të Kosovës thonë se largimi i masave të sigurisë për mallrat serbe si kundërvlerë e përfaqësimit të Kosovës në CEFTA është e pamjaftueshme. Ndërkaq, njohës të proceseve rajonale e mirëpresin vendimin e qeverisë për heqjen e bllokadës për mallrat serbe për lehtësimin e tregtisë së lirë dhe arritjen e suksesit të plotë të CEFTA-s dhe Procesi të Berlinit.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë për KosovaPress se pas vendimit të djeshëm për heqjen e masës së sigurisë për mallrat serbe vetëm përmes pikës kufitare në Merdarë është plotësuar kërkesa gjermane që CEFTA dhe Procesi i Berlinit të kenë sukses të plotë.
Kusari-Lila: Kosova do të përfaqësohet pa UNMIK-un në CEFTA, synohet miratimi i marrëveshjeve që krijojnë lehtësira
“Kosova do të ketë përfaqësimin e saj, jo më përmes UNMIK-ut nga dita e nesërme, përderisa në agjendë janë një grup marrëveshjes teknike që janë diskutuar me muaj të tërë, por për shkak të mospjesëmarrjes sonë dhe disa çështje të tjera atje nuk ka pasur vendimmarrje. Pritet që këto vendime të miratohen nesër…Vet mekanizmi i CEFTA-s si mekanizëm lehtësues për tregtinë e lirë për vendet e rajonit dhe vendet që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian parasheh lehtësinë përmes zbutjes së ngarkesave apo burokracisë që ekziston përmes shteteve. Por, gjithashtu edhe adaptimin e standardeve teknike për të cilat vendet e BE-së i kanë qoftë për kualitetin e mallrave apo standardeve që duhet të aplikohen për ofrimin e shërbimeve. Tashmë këto kalojnë në nivel teknik, ndërsa përfaqësimi i shteteve është në nivel politik. Prej nesër e tutje s’ka më përfaqësues të UNIMIK-ut që do të jetë atje bashkë me Kosovën”, deklaron ajo.
Kusari-Lila shton se Kosova do të përfaqësohet nga MINT, mirëpo nuk dihet a do të jetë në nivel teknik apo politik të përfaqësimit të tyre.
Kusari-Lila: Kosova do të përfaqësohet nga MINT në CEFTA
“Sipas diskutimit të marrëveshjeve rajonale kjo është e fundit që emri i Kosovës do të jetë me asterisk por në cilin nivel në aspektin e përfaqësimit politik ende nuk është e qartë, do të varet sesi shtetet në tërësi e kanë përfaqësimin e tyre. A janë të gjitha në nivele politike apo në nivele teknike të zyrtarëve të tjerë. Në këtë rast nga Kosova do të jetë e përfaqësuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”, thekson Kusari-Lila.
Mirëpo, nënkryetarja e PDK-së, Mimoza Ahmetaj, thotë në një përgjigje për KosovaPress se qeveria kishte synuar që ta kushtëzojë BE-në me idenë që përmes bllokimit të mallrave serbe të hiqen sanksionet ekonomike dhe politike, por pranoi që vetëm përmes përfaqësimit në CEFTA me asterisk të largoi masat ndaj mallrave serbe.
“Nesër Kosova do të merrë pjesë në takimin e CEFTA-s. Ne kishim synuar që ta kushtëzojmë BE me idenë që përmes bllokimit të mallrave serbe të na hiqen sanksionet ekonomike dhe politike por fatkeqësisht përfunduam duke u pajtuar me asteriskun qe aq shumë i jemi kundërvënë”, thotë ajo.
Ndërkaq, analisti politik, Visar Ymeri thotë për KosovaPress se qeveria ka vepruar mirë që ka larguar masën e sigurisë ndaj mallrave serbe, pasi konsideron se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm për vendin.
Sipas tij, ekzekutivi ka bërë mirë që ka adresuar çështjen e skanerëve pasi brengat për çështje të sigurisë janë marrë parasysh. Ai thekson se Kosova të vetmit mekanizma për bashkëpunim rajonal i ka përmes CEFTA-s dhe Procesit të Berlinit.
Ymeri: Bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm
“Shumë mirë që çështja e skanerëve është adresuar, shumë mirë që brengat dhe shqetësimin e Kosovës për çështje të sigurisë janë marrë parasysh, por Kosova tash është në pozicion që duhet të vendosë. A po dëshiron të jetë pjesë e këtij bashkëpunimi rajonal apo do të përjashtojë vetën. Arsyetime dhe pengesa mundesh me gjetë gjithë. Politika nuk është me gjetë pengesa por zgjidhje. Natyrisht me bërë edhe kompromise për qëllime tua strategjike”, thekson ai.
Ministria e Punëve të Brendshme dje ka autorizuar Doganën e Kosovës që të hiqen masat e sigurisë për mallrat serbe që arrijnë përmes pikës kufitare në Merdarë.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se pas një veprimi të tillë janë përmbushur kërkesat e aleatëve që CEFTA dhe Procesi i Berlinit të kenë sukses të plotë.
Vendimin e qeverisë e mirëpritën ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde.