Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Netanyahu thotë se Izraeli do t’i vazhdojë bisedimet për armëpushim në Liban

Izraeli do të vazhdojë t’i diskutojë propozimet për armëpushim në Liban në ditët në vijim, tha të premten kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut do ta bëjë edhe më të vështirë kthimin e civilëve në shtëpitë e tyre në të dyja anët e kufirit.


Reklamë

Reklamë

Reklamë
ADVERTISEMENT

Hezbollahu është grup militant dhe parti politike njëkohësisht, i cili e kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, i hodhi poshtë të enjtet thirrjet e ndërkombëtarëve për armëpushim me Hezbollahun, duke thënë se bombardimet do të vazhdojnë.

Një sulm izraelit të premten i vrau nëntë anëtarë të një familjeje, përfshirë katër fëmijë, në qytezën kufitar të Libanit, Sheba, tha për Reuters Mohammad Saab, kryetar i qytezës.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.

Mbi 600 njerëz janë vrarë në Liban nga e dita e hënë si pasojë e bombardimeve izraelite, thotë Ministria e Shëndetësisë e Libanit.

Hezbollahu tha të premten se hodhi raketa në drejtim të Izraelit, në qytetin Haifa, i cili ndodhet rreth 30 kilometra larg kufirit, si dhe në qytetin Tiberias, duke thënë se këto sulme ishin përgjigje ndaj sulmeve ajrore izraelite në fshatra, qytete dhe civilë.

Megjithëse kundërajrorët izraelitë i kanë rrëzuar shumicën e raketave të Hezbollahut, duke e kufizuar dëmin e tyre, sulmet e grupit militant e kanë prishur jetën normale përgjatë shumicës së kufirit verior të Izrael.

Konflikti mes Izraelit dhe grupit të armatosur rëndë Hezbollah është më i ashpri mes tyre në 18 vjetët e fundit, dhe ka ngjallur frikën se mund të shpërthejë një luftë e gjerë rajonale.

Shtetet e Bashkuara dhe Franca propozuan të mërkurën një armëpushim të menjëhershëm 21-ditor përgjatë kufirit Izrael-Liban, dhe thanë se bisedimet janë duke vazhduar.

Netanyahu tha të premten se ekipet izraelite mbajtën takime për të biseduar për propozimet e SHBA-së për armëpushim të enjten dhe se do t’i vazhdonin ato edhe në ditët në vijim, duke shtuar se i vlerëson përpjekjet e SHBA-së.

“Ekipet tona u takuan [më 26 shtator] për të diskutuar iniciativën e SHBA-së dhe se si mund të cojmë përpara qëllimin e përbashkët për kthimin e njerëzve në shtëpitë e tyre. Ne do t’i vazhdojmë ato diskutime në ditët në vijim”, tha ai në një deklaratë.

Të enjten, pasi Netanyahu u nis për në Nju Jork, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zyra e tij lëshoi një deklaratë duke thënë se kryeministri kishte urdhëruar trupat izraelite të vazhdonin luftimin me forcë të plotë në Liban.

Deklarata e tij nuk i referohej komenteve të ministrit të Jashtëm Katz, i cili të enjten hodhi poshtë propozimet për armëpushim, apo politikanëve të tjerë izraelitë që i kanë bërë jehonë atij qëndrimi, duke thënë vetëm se kishte pasur “shumë keqraportime rreth iniciativës së SHBA-së për armëpushim”./Radio Evropa e Lirë