Profesori universitar në Paris Nezik Kraki, ka shkruar për rastin e çiftit Mic Tofaj dhe Fatlinda Maloku Tofaj, të cilët vdiqën në Bjeshkën e Junikut.
Kraki ka treguar se Tofaj ishte një djalë dinamik dhe pasionant që e donte jetën në lëvizje dhe se ai ishte e mira e shumëkujt, përcjell Bota sot.
Në postimin e tij në Facebook lidhur me rastin tragjik, Kraki ka shprehur dyshimet e tij në ekzistencën e Zotit, pasi sipas tij, “nuk është e lehtë të besohet në një Zot që me kaq brutalitet e kaq padrejtësi ndërpren jetë e ëndrra që sapo kishin filluar”.
“Bjeshka e Junikut, bjeshkë e nemun
Kjo javë që po kryhet nisi me një tragjedi të rëndë në Bjeshkët e Junikut. Nga e nemun, bjeshka jonë e bukur sikur u kthye në bjeshkë të mallkuar kur papritur ia mori jetën një çifti kaq të ri, pa mendu fare as për dy jetimët që do mbesnin pa përqafimet e nënës para fjetjes dhe pa shtrëngimet e babës në mëngjes.
Mic Tofaj i Junikut me nusen e tij Fatlinda Malokun, poashtu nga Juniku, e donin jetën dhe bjeshkën. Ishin e zeza e askujt dhe e mira e shumëkujt. Junikasit dhe miqtë e tij tregojnë për Micin si djalë dinamik dhe pasionant. Pasionet e tij tregojnë që ai djalë e donte jetën në lëvizje, me projekte e adrenalinë. Thënë ndryshe, ai ishte qytetar i dobishëm për familjen dhe për Junikun.
Kur ndodhin tragjedi kaq të rënda kemi të drejtë të dyshojmë në ekzistencën e Zotit edhe pse në këto raste na duhet si mbështetje për ta zbut dhimbjen. Nuk është e lehtë të besohet në një Zot që me kaq brutalitet e kaq padrejtësi ndërpren jetë e ëndrra që sapo kishin fillu. Në raste të tilla as ngushëllimi nuk mjafton, por ne veç ngushëllime e solidarizim mund të ofrojmë. Ngushëllimet nuk mjaftonin as kur e njëjta bjeshkë para një viti ia mori djalin e vetëm tezes Lume, Betimin 30 vjeç.
Na mbetet veç të mërzitemi bashkë me familjet Tofaj e Maloku dhe ta ndajmë dhimbjen e tyre zor të përballueshme duke u lut që Bjeshka e nemun të mbetet e nemun vec në emër.
Ngushëllimet e mia të thella për familjet e tyre të nderume dhe për miqtë e rrethin që kjo tragjedi preku e mërziti”, ka shkruar Nezik Kraki.
Biznesmeni Mic Tofaj dhe bashkëshortja e tij Fatlinda Maloku Tofaj, vdiqën me 25 dhjetor, si pasojë e rrymës në një shtëpi në Junik.
Mic Tofaj ishte pronar i fabrikës së ujit “Juniku”.