Komuniteti i Inteligjencës Amerikane sot ka publikuar raportin vjetor të vlerësimit të kërcënimeve për vitin 2024. Në këtë raport është i përfshirë edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, rajon për të cilin parashikohet rritje e rrezikut për dhunë të lokalizuar ndër-etnike. Ata theksuan disa raste që do të kenë potencial për ndikim më të madh në sigurinë globale dhe potencialin për veprim nga Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët e saj.
Raporti tregon se liderët nacionalistë ka të ngjarë që të përkeqësojnë situatën dhe të rrisin tensionet për ta përdorur situatën në avantazh të tyre politik. Gjithashtu thuhet se aktorët e jashtëm do të përforcojnë dhe shfrytëzojnë dallimet etnike për të rritur apo mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose edhe për të penguar integrimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe institucionet euro-atlantike.
Raporti kujton përleshjet midis nacionalistëve serbë dhe autoriteteve të Kosovës që çuan në vdekje të një efekti policie, dhe plagosjen e disa të tjerëve, duke përfshirë ata të paqeruajtësve të NATO-s, në vitin 2023.
Më tej në raport thuhet se udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik po ndërmerr hapa provokues për të neutralizuar mbikëqyrjen ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë dhe për të siguruar shkëputjen de facto të Republikës Srpska.
“Veprimet e tij mund të inkurajojnë udhëheqësit e popullsisë boshnjake të forcojnë kapacitetin e tyre për të mbrojtur interesat e tyre dhe ndoshta të çojnë në konflikte të dhunshme që mund të kërcënojnë ruajtjen e paqes”, thuhet në raport.
Duke komentuar raportin, Jasmin Mujanoviç, politolog që jeton dhe punon në Los Angeles, thekson se vlerësime të tilla janë “për fat të keq të sakta”.
“Komuniteti amerikan i inteligjencës beson se Dodik mund të inicojë shkëputjen në BiH në vitin 2024 dhe se nëse aktorët politikë boshnjakë reagojnë për ta ndaluar atë, EUFOR BiH nuk do të jetë në gjendje të parandalojë përshkallëzimin e spirales së dhunës. Po ashtu, ka një rrezik të shtuar për konflikte të reja mes Serbisë dhe Kosovës”, ka komentuar Mujanoviç në rrjetin X.