Që nga ndryshimi i papritur i motit, numri i pacientëve të të gjitha moshave është rritur.
Kur bëhet fjalë për sëmundjet kardiovaskulare, shumica janë pacientë kronikë, kryesisht ata që vuajnë nga hipertensioni dhe sindroma akute koronare. Gjithashtu është regjistruar edhe një numër i shtuar i goditjeve në tru dhe i problemeve me frymëmarrjen.
I gjithë organizmi ynë vuan kur ndikohet nga ndryshimi i shpejtë i motit. Trupi ynë sillet sipas të gjitha ligjeve të fizikës dhe përpiqet të bëjë kompensimin. Ndërsa presioni i jashtëm rritet, organizmi ynë përpiqet t’i kundërvihet atij. Dinamika e enëve të gjakut është se ato zgjerohen dhe tkurren në varësi të presionit të jashtëm, gjë që shkakton rritje ose ulje të presionit të gjakut. E njëjta gjë ndodh në vetë muskulin e zemrës. Vitet e fundit grupi i pacientëve meteoropatë është në rritje.
Edhe më herët kishte njerëz që reagonin vrullshëm ndaj ndryshimeve të motit, por tani kjo popullsi është shumë më e madhe dhe janë kryesisht persona të moshës 42 deri në 55 vjeç. Kjo është një popullatë që është e përfshirë në mënyrë dinamike në jetë, ata bëhen më nervozë, lëvizin më shumë, shkojnë nga një mjedis në tjetrin dhe të gjitha këto rrisin rrezikun.
Këshillohet që njerëzit të qëndrojnë sa më shumë në ambiente të mbyllura gjatë ndryshimit të motit, sepse ndryshimi i presionit brenda është shumë më i ngadaltë se jashtë. Gjithashtu, të gjithë ata që ndjejnë ndonjë shqetësim, duhet të shkojnë te mjeku. Ndërkaq, zona nga Thumana e deri në afërsi të Vorës është përfshirë nga një mjegull e dendur, që redukton ndjeshëm shikueshmërinë e shkakton vështirësi në lëvizjen e mjeteve.
Kush udhëton nga veriu për në Rinas e më tej në Vorë, si dhe anasjelltas duhet të ketë kujdes. Po ashtu, mjegulla sjell probleme edhe në uljen e avionëve, pasi mbulon zonën e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit. Kjo ka çuar në shtyrje e vonesa të fluturimeve. Sa i përket parashikimit të motit sot në vend, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se në javën që kemi hyrë, pritet që territori shqiptar të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme për shkak të depërtimit të një zone të thellë me presion atmosferik të ulët, pozicionuar mbi Detin Mesdhe, në veri të kontinentit Afrikan dhe një mbi Gadishullin Apenin./topchannel