Tashmë është nënshkruar kontrata ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit me qëllim normalizimin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike në komunat veriore Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut.
Deri tani qytetarët serbë në veri nuk ka paguar energji.
Me këtë marrëveshje atyre do t’u faturohet energjia e shpenzuar.
Për këtë marrëveshje të arritur mes dy vendeve ka pasur edhe reagime të shumta si nga vendorët ashtu edhe nga ndërkombëtarët.
Nga KEDS kishin njoftuar se kjo kontratë përkon me ligjin e Kosovës dhe kornizën rregullative.
“Kjo kontratë përkon me ligjin e Kosovës dhe kornizën rregullative, në përputhje me Marrëveshjet në lidhje me Energjinë të datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshjet e Energjisë 2013”) dhe Konkluzionet e Lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015 (“ Marrëveshjet për Energjinë të vitit 2015”), si dhe Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve Energjetike të 21 qershorit 2022”, thuhej në komunikatën e tyre.
Marrëveshjen e kishte mirëpritur edhe emisari Miroslav Lajçak, i cili kishte thënë se ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë.
“Ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë të lehtësuar nga BE-ja dhe në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Burjani: Faturat janë të Kosovës, pagesat i bëhen KEDS
Blerim Burjani
Njohësi i çështje politike, Blerim Burjani, për “Bota sot” thotë se me këtë marrëveshje të arritur KEDS-i ia shet energjinë Elektorservetit i cili realisht është distributor.
“Furnizuesit të rrymës, distributorit, nëse është KEDS, sipas logjikës KEDS ia shet Elektroserverit, i cili është përgjegjës për distribuim.
Faturat janë të Kosovës, pagesat i bëhen KEDS. Siç e dini marrëveshjet kanë filluar të zbatohen”, thotë ai.
Mehmeti: Pres që nga marsi i vitit 2024 të mund të paguhet energjia elektrike në rast se kjo marrëveshje zbatohet
Faton Mehmeti
Kurse, analisti Faton Mehmeti, ka thënë se kjo marrëveshje do të jetë në favor të Kosovës nëse zbatohet.
Sipas tij, vlen të thuhet se kjo marrëveshje varet nga mekanizmat e qeverisë dhe presioni i Brukselit për ta paguar energjinë në veri.
“Nuk jam aq optimist por jo edhe aq pesimist nga kjo marrëveshje mes KEDS dhe Elektroserverit, nisur nga marrëveshjet paraprake e të cilat nuk kanë prodhuar rezultat. Në këtë kuptim dua të them se kjo marrëveshje-kontratë do të jetë në favor të Kosovës nëse zbatohet. Krejt varet sa ka mekanizma qeveria e Kosovës për të zbatuar këtë marrëveshje, dhe sa presion ushtron Brukseli për zbatimin e kësaj.
Në këtë kuptim, pres që nga marsi i vitit 2024 të mund të paguhet energjia elektrike në rast se kjo marrëveshje zbatohet, në të kundërtën s’do të zbatohet deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi. Po them varet nga mekazimat e qeverisë dhe presionit të Brukselit”, përfundon ai “Bota sot”.
Reagimet nga jashtë
Bashkimi Evropian e ka mirëpritur nënshkrimin e kontratës komerciale ndërmjet kompanisë energjetike të Kosovës KEDS dhe kompanisë, Elektrosever.
“Lidhja e kësaj kontrate nënkupton që Elektrosever do të fillojë furnizimin me energji elektrike për katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Kjo do t’i japë fund praktikës aktuale të parregulluar”.
Edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se nënshkrimi i kontratës komerciale ndërmjet KEDS-it dhe Elektrosever, është edhe një hap tutje drejt normalizimit të furnizimit me energji dhe faturimit në katër komunat në veriun e Kosovës.
Bislimi thotë se “më shumë se 1 vit pas dakordimit mbi udhërrëfyesin e pasi që pala jonë i përmbushi menjëherë obligimet e saj që derivojnë nga marrëveshja, Elektrosever pranoi ta nënshkruajë kontratën”.
Marrëveshje e kishte mirëpritur edhe amabasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier, i cili kishte thënë se energjia e shpenzuar duhet të paguhet.
“Marrëveshja është arritur në qershorin e 2022-tës në dialogun e lehtësuar nga BE-ja të cilën ShBA, e mbështet plotësisht, udhërrëfyesin për veriun, ku qytetarët do të faturohen për energjinë e shpenzuar. Dhe unë mendoj që kjo është gjëja e duhur”.
“Ne presim zbatim të shpejt të këtij udhërrëfyesi, që në fakt i ka disa afate të cilat janë tejkaluar. Unë e mirëpres arritjen e marrëveshjes mes KEDS-it dhe Elektroseverit. Tani ata duhet të komunikojnë se si duhet të zbatohet kjo marrëeshje. Ka goxha shumë punë teknike për t’u bërë. Duhet që kompanitë të instalojnë njehësohrët për të parë se sa është vlera e energjisë së shpenzuar”.
Derisa, nga Serbia, Vuçiqi ka thënë se vetëm jemi duke parë detajet.
“Ende po i shikojmë detajet” e marrëveshjes ndërmjet kompanive Elektrosever dhe KEDS-it, por se qëllimi kryesor i Beogradit zyrtar është që “të shmanget çdo mundësi që populli në veri të Kosovës të mbetet pa energji elektrike”. “Fundja, kjo është gjëja më e rëndësishme për ne”, kishte thënë ai.