Ka përfunduar seanca ndaj tre serbëve të arrestuar ditën e djeshme si të dyshuar për krime lufte.
Gjykatësi ua ka caktuar nga një muaj paraburgim të treve, raporton Klankosova.
Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës lëshuan një komunikatë të përbashkët, ku njoftuan se janë arrestuar tre serbë nën dyshimin për veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”.“Prokuroria Speciale njofton se tre (3) të arrestuarit akuzohen për veprën penale ’Krimet e luftës kundër popullatës civile, veprime këto të sanksionuara sipas, nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ, aktualisht e penalizuar me nenet 31 dhe 153 të KPRK, në kundërshtim me nenin 3 të përbashkët të 4 Konventave të Gjenevës, të datës 12 gusht 1949, të neneve 4 dhe 5 (1) të Protokollit 2 të datës 08 qershor 1977, shtojcë e Konventave të Gjenevës të vitit 1949, të gjitha rregullat e ligjeve ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe kurdoherë e rëndësishme për vendimin e tanishëm ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, u tha në njoftimin e djeshëm.