Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nga Qeveria thonë se po punojnë që Procesi i Berlinit të jetë i suksesshëm

 
   

Pozita e Kosovës në Procesin e Berlinit dhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë – CEFTA mbetet ende e paqartë. Kur kanë mbetur edhe 11 ditë kur do të mblidhet samiti i Procesit të Berlinit, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se po angazhohen që ky proces të jetë i suksesshëm. Mirëpo, nuk kanë treguar nëse veprimet e ndërmarra do të rezultojnë edhe me lejimin e prodhimeve serbe në Kosovë.

Kompromisi nuk është gjetur ende, por kërcënimet e shtetit gjerman për përjashtimin e Kosovës nga Procesi i Berlinit dhe CEFTA, kanë mobilizuar ekzekutivin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës po angazhohet që vendi ta ruajë pozitën në Procesin e Berlinit, i cili do të mbahet më datën 14 të këtij muaji.

Gjermania edhe më tej vazhdon kërcënimet se, në rast se nuk lejohet importi i mallrave serbe në Kosovë, republika do të përjashtohet nga ky proces, si dhe nga marrëveshja për Tregti të Lirë.

Po punojmë dhe jemi të angazhuar që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm”, tha për RTK-në, Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.

Mirëpo, Kryeziu nuk ka treguar nëse po konsiderohet heqja e ndalesës ndaj mallrave serbe, në këmbim të mospërjashtimit të Kosovës nga ky proces e nga CEFTA.

Njohës të politikës e të ekonomisë, Mazllum Baraliu dhe Ismet Mulaj kërkojnë nga qeveria që të ndërmarrë veprime sa më shpejt, teksa paralajmërojnë pasoja të mëdha për vendin.

Të mërkurën kryeparlamentari Konjufca u shpreh optimist për gjetjen e një kompromisi sa u përket mallrave serbe, derisa tha se kjo ndalesë është bërë për shkaqe sigurie.

Gjermania pati premtuar furnizimin e Kosovës me skanerë profesionalë përmes të cilëve mund të detektohej nëse në mesin e mallrave serbe, që hyjnë në Kosovë, mund të ketë edhe armë.

Në rast të furnizimit të vendit me këta skanerë, vendimi për lejimin e mallrave serbe në Kosovë mund të ndryshohet.