Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Nga QKUK flasin për gjendjen e të plagosurve në “Bon Vivant”: Viktima kishte disa plagë

 
   

Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla deklaroi sot se 17 persona kanë pranuar mbrëmë tretman mjekësor në Qendrën Emergjente si pasojë e plagosjes në lokalin “Bon Vivant”. Syla për KosovaPress tha se një person, edhe pas intervenimit kirurgjik nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Syla u shpreh se dy raste janë trajtuar në sallën e operacionit nga ekipet kujdestare të Kirurgjisë, ku njëri ka humbur jetën. Ai tregoi edhe për gjendjen e të lënduarve të tjerë, derisa tha se ata që kanë marrë trajtimin e nevojshëm, janë liruar për në shtëpi.

“Pas mesnate diku, mbrëmë janë pranuar në Qendrën Emergjente 17 pacientë, ku 7 prej tyre kanë qenë të lënduar me armë skllopetare apo me armë zjarri, kurse 10 të tjerë kanë qenë të lënduar me mjete të mprehta me pjesë të xhamave apo pjesë të tjera të forta që i kanë pasur aty…Për momentin, dy raste prej tyre janë masi janë kry të gjitha ekzaminimet e nevojshme, janë trajtuar në sallën e operacionit nga ekipet kujdestare të Kirurgjisë Abdominale, Kirurgjisë Vaskulare të Ortopedisë. Për fat të keq, njëri edhe pas intervenimit kirurgjik nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë. Kurse, katër raste të tjera, prej tyre janë pranuar në Klinikën e Ortopedisë, ku vazhdon tretmani tutje. Një tjetër është pranuar në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, këta janë në gjendje stabile, kurse rastet e tjera kanë marrë tretmanin e nevojshëm dhe kanë shkuar në shtëpi…”, tha Syla.

Ai tha se personi që ka ndërruar jetë ka pasur plagë në pjesë të ndryshme të trupit.

“Lëndimet kanë qenë, plagët kanë qenë me armë zjarri, kanë qenë në pjesë të ndryshme të trupit dhe njëri prej tyre që ka ndërruar jetë ka pasur disa plagë në pjesë të ndryshme të trupit, kështu që ka ndërruar jetë… Mosha ka qenë të ndryshme, prej viteve të ‘80 deri në 2003.”, tha Syla.

Ndërsa, anesteziologia inteziviste kujdestare në mjekimin intensiv, Agreta Gashi u shpreh se vetëm personi që ka ndërruar jetë ka qenë në gjendje të rëndë.

Ajo tha për KosovaPress se rastet e tjera janë trajtuar në klinika të tjera e jo në mjekim intensiv.

“Prej rastit te mbrëmshëm vetëm një pacient është trajtuar në mjekim intensiv, që do të thotë, vetëm njëri prej tyre ka qenë në gjendje të rëndë. Fatkeqësisht për shkak të lëndimeve të rënda që ka pësuar nga plagosja me armë zjarri, nuk ka mundur t’i mbijetoi plagëve përkundër trajtimit kirurgjik, që i është bërë nga dy ekipe të kirurgëve dhe trajtimit në mjekim intensiv tek ne. Vdekja (është konstatuar) këtu, pas disa orëve që ka ardhur këtu, faktikisht në 6:45 në mëngjes. Prej mbrëmë janë trajtuar në klinika të tjera, por jo në mjekim intensiv, që do të thotë se nuk janë pacientë në gjendje të rëndë”, tha ajo.