Kanë kaluar pesë ditë nga konflikti ndoshta më i rëndë që shpërtheu në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008. Katër persona u vranë, të paktën tre sulmues serbë nga Kosova dhe një polic shqiptar.
Beteja në Banjskë është ende e mbuluar me mister dhe nuk ka përgjigje për pyetjet kyçe ose edhe nëse, nuk e dimë nëse mund t’i besojmë.
Për të sqaruar këtë mjegull, e cila, fatmirësisht, nuk është ende mjegull lufte, “N1” iu drejtua analistit politik Dushan Janjiç nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd. Ai ka tregur sekretet e sulmit.
“Gjithçka këtu është e qartë, përveç se ne nuk e dimë se kush qëlloi i pari. Është e qartë se ai aksion është përgjuar, sepse ka mundësuar KFOR-in dhe SHPK-në (Shërbimin Policor të Kosovës) të koordinojnë aktivitetet e tyre. Është e qartë se këta njerëz përfundimisht janë mashtruar si Wagneri që u nis drejt Moskës. Dhe shkrimi i dorës është i qartë. Por nuk është e qartë se çfarë është marrëdhënia mes Rusisë dhe Amerikës në këtë lojë, por padyshim që ekziston”, beson Janjic.
Po kush e kreu në fakt këtë aksion paraushtarak në Banjskë, i cili padyshim përfundoi shumë keq për agresorët? Janjiç na përgjigjet: “Është Mbrojtja Civile, e cila është riorganizuar shumë çuditërisht, nga skuadra e veriut dhe ka qitës profesionistë. Ka ende disa të tjerë që duhet të dalin sepse nuk kanë arritur në Serbi dhe nuk kanë ku të shkojnë sepse KFOR-i tani është në kufi dhe stërvitjet e tyre të paralajmëruara po vazhdojnë”.
“Është e qartë se qëllimi ka qenë që të bëhet incident në atë rrugë për të hyrë në fshatin Banjskë dhe në manastir. Aty kishin përgatitur llogore, infrastrukturë dhe kishin armë. Ata prisnin përfshirjen e njerëzve që ndoshta duhej të ishin mobilizuar politikisht nga Lista Serbe dhe të krijonin diçka të ngjashme me Republikën e Uzhicës në kohën e Titos (territor në Serbi që ishte nën kontrollin e partizanëve për një kohë të shkurtër, në vitin 1941), por ndodhi diçka tjetër. Ai plan dështoi”, shpjegon Janjiç.
Sipas tij, në manastir në atë kohë ishin 50 besimtarë nga Novi Sadi. Një krizë tipike pengjesh. Ai shton se plani ishte të shkaktonte dramë.
“Ishin 30 të tillë, por kishin armë për 400 burra dhe duhej të kapnin atë numër. Aty duhej të përfshiheshin vendasit nga ai fshat, me Zubin Potokun si sfond. Kjo ishte strategjia e tyre. Nuk ishte ushtri klasike, nuk i kishin të gjitha pajisjet e nevojshme”, shton analisti serb.
Sipas tij, plani ishte që mund të shkonin deri në 5 mijë njerëz të angazhuar dhe kjo do ishte problem. Ai dyshon se KFOR ka qenë në dijeni të aksionit të Radoiçiçit, por e ka lënë qëllimisht të veprojë.
“Këta janë serbë vendas, por a e dini se çfarë do të thotë vendas? Kjo do të thotë se ata kanë dokumente lokale. Për shembull, njëri nga të arrestuarit në sulmin ndaj KFOR-it ishte i regjistruar në Graçanicë, por ai jeton në Beograd dhe i përket klanit të drogës Vraçar. Radoiçiç është vendas dhe jeton në Dedinje. Është si me Kninin dhe Milo Martiçin. Edhe këtu kanë pasur përkrahje nga jashtë dhe ne e dimë se kush i ka mbështetur – Serbia”, shtoi ai.
Më tej ai ka folur dhe për para. Sipas tij, ata që do i bashkoheshin grupit do paguheshin me rrogë ditore.
“Kush i ka paguar? Ata padyshim kishin para të mjaftueshme, ata janë të angazhuar në ndërtim, biznes, drogë dhe të tjera. Nuk është problem të japësh pesë milionë euro për armë dhe të paguash ata tridhjetë veta. Të tjerët që do të vinin do të kishin rrogë ditore. Kur ka provokime dhe molotov, atëherë është 50 euro. Kur është një luftë e vërtetë, atëherë është 100 euro/dita”, vazhdon ai.
Megjithatë, pyetja kryesore që shtrohet është se nga kush morën urdhra saktësisht, nga Vuçiçi apo nga dikush tjetër?
“Presidenti nuk jep kurrë urdhra të tillë. Gjithmonë ka pjesë të institucioneve të përfshira – disa nga BIA, disa nga xhandarmëria, koordinohet nga një shef, ndoshta Vulin, pasi i pëlqen të jetë Che Guevara”, vlerëson bashkëbiseduesi ynë, por hedh poshtë mundësinë që Vuçiç të mos ketë pasur dijeni për planin. “Ishte relativisht i informuar, por jo plotësisht. Ai shtiret se e kontrollon situatën, por nuk është edhe aq idiot. Një idiot i tillë, pa dyshim, është Vulin”, shtoi ai.
Një tjetër pyetje që po debatohet intensivisht këto ditë është nëse në ekzekutimin apo organizimin e këtij operacioni janë përfshirë shërbimet ruse, ushtarakët apo mercenarët. Në një intervistë për Associated Press, ministri Sveçlja ka bërë të ditur se hetuesit kosovarë janë duke hetuar për përfshirjen e mundshme të Rusisë dhe se këtë e tregojnë armët dhe pajisjet ruse dhe dokumentet tjera.