Prej 1 janarit makinat me targën e Kosovës, RKS do të mund të lëvizin lirshëm në territorin e Serbisë.
Qeveria e Serbisë vendosi të marrë këtë vendim në 25 dhjetor, teksa zyrtari për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç u shpreh se kjo gjë u bë e mundur për të ndihmuar qytetarët serbë.
Sipas Radio Evropa e Lirë, vendimi i qeverisë serbe për të njohur makinat me targa RKS u mor pasi serbët që jetojnë në komunat në veri të Kosovës, gjerësisht i zëvendësuan targat e lëshuara nga UNMIK-u, por edhe targat e lëshuara nga autoritetet e Serbisë që ishin me akronime serbe.
Të dhënat e Qeverisë së Kosovës tregojnë se nga 1 nëntori deri më 14 dhjetor, 3.405 qytetarë kanë konvertuar targat serbe në ato RKS, kryesisht në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviç.