Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ngrihet aktakuzë ndaj një serbi, dyshohet për përfshirje në Masakrën e Dubravës

 
   

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër një serbi me inicialet G.M, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e 109 të burgosurve dhe plagosjen e 108 të tjerëve në Masakrën e Dubravës.

“Prokuroria Speciale (PS), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit G.M. i nacionalitet serb, Shtetas i Kosovës dhe Serbisë, me adresë të vendbanimit në Serbi, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale ‘’Krimi i luftës kundër popullsisë civile’’, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. I pandehuri akuzohet se me 22 maj 1999, ka marrë pjesë në vrasjen e njëqind e nëntë (109) të burgosurve dhe në plagosjen e njëqind e tetë (108) të burgosurve të tjerë, që të gjithë të nacionalitetit shqiptarë, e njohur si ‘’Masakra e Dubravës”, thuhet në njoftim.

Hetimet kanë siguruar prova të mjaftueshme relevante juridike që dëshmojnë se “i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në kryerjen veprës penale për të cilën po akuzohet”.

Bëhet e ditur se i pandehuri gjendet nën masën e sigurisë – paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës.

Ndërkaq hetimet ndaj të pandehurve të tjerë janë duke vazhduar, në mungesë, pasi që të njëjtit janë të pa arritshëm për organet e rendit.