Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se për sulmin në Banjë deri tani kanë ngritur urdhër-arreste vendore ndaj 41 personave të dyshuar që janë përfshirë në këtë sulm terrorist ku mbeti i vrarë rreshteri tashmë i shpallur hero nga institucionet e Kosovës, Afrim Bunjaku.
Si dhe për shkak të hetimeve të plota në koordinim me Prokurorinë Speciale, ka qenë e nevojshme sipas policisë që disa prova të dërgohen jashtë vendit, por që s’është pranuar akoma përgjigje lidhur me ekzaminimin e tyre.
Lajmin e ka kumtuar policia përmes një përgjigje me shkrim.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale deri tani ka ngritur urdhër-arreste vendore kundër dyzet e një (41) personave të dyshuar, si dhe tridhjetë e nëntë (39) urdhër- arreste ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e tyre për AP.
Ndërsa, është ngritur kallëzim penal kundër 45 personave duke përfshirë edhe ndaj tre 3 personave qe gjenden nën masën e paraburgimit.
Nga policia janë përmendur veprat penale për të cilat dyshohen këta persona.
“Vrasje e rëndë, sulmi kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, kryerja e veprës terroriste”.
“Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, shpëlarja e parave, financim i terrorizmit”.
Nga policia është thënë se janë identifikuar 48 persona të cilët dyshohet se janë përfshirë në këtë sulm.
“Përfshirë në këtë numër edhe tre (3) personat e neutralizuar gjatë operacionit kundër terrorizmit të datës 24 shtator 2023”.
Më 16 shkurt, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte njoftuar se INTERPOL-i ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për të gjithë terroristët e Banjës.
Një grup i armatosur më 24 shtator, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.
Nga shkëmbimet me armë zjarri, Policia e Kosovës kishte asgjësuar katër terroristë, teksa gjashtë të tjerë i arrestoi.
Autoritetet e Kosovës kishin akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Radojiçiç, ishte arrestuar nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.
Lidhur me sulmet terroriste, organet e rendit kanë sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan nga Policia pas sulmit, vlera e të cilave kapte shifrën 5 milion euro.
Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.