Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër tre të pandehurve që sulmuan gazetarin Valon Syla.
Sipas njoftimit nga PSRK, aktakuza është ngritur ndaj të pandehurve me inicialet L.D, K.H dhe O.H., pasi që ekziston dyshimi i bazuar mirë se të njëjtit, të motivuar me ideologji ekstreme radikale Islame përkatësisht të besimit fetarë, e kanë sulmuar fizikisht dhe i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit, gazetarit, Valon Syla.
“Me këto veprime të pandehurit L.D, K.H dhe O.H. në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale ‘’Lëndimi i lehtë trupor’’ nga neni 185 paragrafi 3 nën paragrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 prill 2023, ua kishte caktuar masën e paraburgimit tre të pandehurve L.D, K.H dhe O.H, dhe e njëjta ishte vërtetuar edhe nga shkalla e dytë.
Ndërsa, më 12 maj të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka vendosur që të ndërpresë masën e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve , e njëjta masë ishte zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej dy muajsh.
Tre të dyshuarit u arrestuan më 12 prill, ndërsa Prokuroria Speciale më pas njoftoi se të arrestuarit janë personat e dyshuar me inicialet L.D, K.H dhe O.H., dhe se të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’’.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka reaguar duke thënë se sulmet ndaj gazetarëve dhe ndërhyrja në pavarësinë dhe lirinë e tyre të shprehjes, shkelin parimet thelbësore demokratike.
Lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe Kryeministri Albin Kurti, i cili kërkoi nga institucionet që rastin ta trajtojnë me seriozitet. Njëjtë kërkoi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Sulmin ndaj Sylës e ka dënuar edhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias. Ndërsa, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ka thënë se dhuna fizike ndaj gazetarëve po shndërrohet në një dukuri dhe se kësaj dhune po i paraprinë fillimisht një linçim publik medial. KMDLNj e ka cilësuar sulmin ndaj Sylës si sulm ndaj lirisë së shprehjes.