Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nikaj: Policia me koordinim të KFOR-it në veri, ky është kthim shumë prapa

 
   

Bernard Nikaj i PDK-së tha se deklarata e sotme e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, se duhet koordinim me NATO-n edhe për dërgimin e forcave speciale policore në veri të vendit, është rezultat i drejtpërdrejtë i mos-koordinimit dhe  veprimeve të qeverisë në fund të majit të këtij viti, të ndërlidhura me kryetarët e komunave dhe me krizën që pasoi aty pastaj.

Për emisionin Edicioni Special në Klan Kosova, ai shtoi se kjo ka të bëjë me tendencën e NATO-s që të sigurojë një ambient të sigurt dhe te sigurohet që ka koordinim mes cilado forcave të sigurisë, përfshirë këtu edhe Forcat Speciale të Policisë së Kosovës, dhe trupave te KFOR-it këtu në Kosovë, me qëllim që të shmangen elementet e dhunës dhe zhvillimeve që i kemi parë këtu në ditën e 29 majit dhe ditët pasuese atëherë.

“Ky është një zhvillim negativ për Kosovën, se asnjëherë më parë NATO-ja nuk ka kërkuar që Policia e Kosovës e as Forcat Speciale të Policisë së Kosovës të kërkojnë leje apo të koordinohen me KFOR-in me rastet e intervenimit në pjesët veriore të vendit”, deklaroi Nikaj.

Tutje ai tha se ky është kthim shumë prapa sepse e vë në dyshim besimin e NATO-s në dëshirën dhe vullnetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të koordinohet me trupat e KFOR-it dhe me NATO-n për veprimet e tyre.