Vazhdon drama me Nikola Sandulovicin, politikanin opozitar serb, i njohur për publikun e Kosovës për homazhet e tij te varri i Adem Jasharit në Prekaz dhe kërkim-faljen në emër të serbëve për krimet e luftës.
Mbrëmë, atij i është bastisur shtëpia. Nuk i është gjetur asgjë, por prokurori ka dhënë urdhër që ai të dërgohet në paraburgim për 48 orë, raporton EO.
Çedomir Stojkoviq, avokati i politikanit opozitar serb, Nikola Sanduloviq, ka njoftuar se ky i fundit po dërgohet në burgun qendror në Beograd nga Emergjenca ku dje u shtrua pasi u raportua se ishte rrahur nga zyrtarë të shërbimit sekret.
Stojkoviq ka thënë se Sanduloviqi po transferohet në burg kur “jeta e tij është në rrezik”.
“Ata po e largojnë sepse Nikola vendosi lule në varret e shqiptarëve. Është akuzë zyrtare dhe formale ndaj tij. Më lejoni të përsëris, akuza zyrtare ndaj tij është se ka përhapur urrejtje ndaj serbëve duke vendosur lule në varret e shqiptarëve duke kërkuar falje nga shqiptarët për krimet e kryera”, ka shkruar ai në plaformën X.
Sipas avokatit, Stojkoviq është rrahur dy ditë më parë në ndërtesën e BIA-s për këtë arsye: “sepse vendosi lule në varret e shqiptarëve në Kosovë”.
Gruaja e tij ka dërguar një video, ku shihet si ai në gjendje të rëndë shëndetësore, po dërgohet sot në mëngjes nga Qendra Emergjente e Spitalin e Beogradit për në Burgun Qendror.
Sanduloviqi ishte arrestuar të mërkurën nga Agjencia e Inteligjencës e Serbisë (BIA). Sipas familjes dhe avokatit të tij, arsyeja ishte një postim i tij në X duke bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, duke theksuar faktin se ai është i vetmi politikan nga Serbia që nderoi viktimat e pafajshme shqiptare.
Familjarët e kryetarit të Partisë Republikane Serbe, Nikola Sandulovic, kanë thënë se ai është rrahur brutalisht nga policia sekret serbe, në godinën e BIA-s. Në mesin e personave, të maskuar, që e kanë rrahur, Sandulovic ka thënë se e ka njohur Milan Radojçiqin, ish-politikanin serb nga veriu i Kosovës, organizator i sulmit terrorist të 23 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.