Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nis Konferenca e Sigurisë në Munih

Konferenca e Sigurisë së Munihut nis më 16 shkurt në një kohë kritike, përderisa në Shtetet e Bashkuara po vazhdon fushata për zgjedhjet presidenciale ku ka të ngjarë që sërish të përballen presidenti Joe Biden, dhe ish-presidenti Donald Trump. Punimet e kësaj konference po mbahen edhe në kohën kur në Kongresin amerikan ka ngecur një paketë për ndihmë ushtarake për Ukrainën.

Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, parashihet që t’i adresohet konferencës në ditën hapëse, ndërkaq një ditë më vonë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të bëjë paraqitjen e parë fizike në këtë konferencë që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Vlerësohet se 50 udhëheqës botërorë do të marrin pjesë në këtë ngjarje vjetore, që e cilëson veten si forumin kyç në botë ku debatohet për politikën ndërkombëtare të sigurisë. Qeveritë e Rusisë dhe Iranit nuk janë ftuar.

Nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Albin Kurti, ndërkaq Serbinë presidenti i saj Aleksandar Vuçiq. Pjesëmarrja e tyre në të njëjtin forum po ndodh në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur për shkak të një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar pagesat me dinarin serb. Ky vendim ka hyrë në fuqi më 1 shkurt në mes të kritikave ndërkombëtare dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mospërfillja e kërkesës amerikane për shtyrje të vendimit ka ndikuar në cilësinë e raporteve mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

Ndërkaq, numri dy i politikës amerikane, Kamala Harris, e cila ka marrë pjesë në Munih edhe më 2022 dhe 2023, kësaj radhe përballet me vështirësi të tjera. Ajo këtë vit përballet me detyrën që të sigurojë aleatët se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për të mbrojtur sigurinë e tyre pasi Trump, që konsiderohet kandidati kryesor për të fituar nominimin e republikanëve për president, ka vënë në pikëpyetje mbrojtjen e aleatëve të NATO-s – të aleatëve që dështojnë të shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre – nga një pushtim i mundshëm nga Rusia.