Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nis ndërtimi i çerdhes në Godanc, Kurti: Edukimi i hershëm i rëndësishëm për fëmijë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, morën pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të ndërtesës së re të çerdhes për fëmijë të fshatit Godanc në komunën e Shtimes.

Kurti u shpreh i lumtur për ndërtimin e çerdhes së re në Shtime, ku sipas tij edukimi i hershëm është i rëndësishëm për karrierën e fëmijëve.

Ai tha se kjo është çerdhja e 31- të e cila është ndërtuar dhe Qeveria ka ndarë pesë milionë euro që do të investojë në çerdhe të tjera.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se pas finalizimit të kësaj çerdhe planifikojnë edhe ndërtimin e gjashtë çerdheve të tjera.

Ajo tha se synimi i qeverisë është ndërtimi i çerdheve në zona rurale për të ofruar mundësi si për fëmijët ashtu edhe për nënat e reja që të kenë mundësi për punësim.

Edhe kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli u shpreh falënderues për ndërtimin e çerdhes në Godanc, derisa shtoi se gjatë mandatit të tij planifikon ndërtimin e çerdheve edhe në disa fshatra të tjerë në këtë komunë.