Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nisen ekipe shtesë të Policisë në Jarinje, ka informata se mund të ketë protestë andej kufirit

Në pikën kufitare në Jarinje që lidh Kosovën me Serbinë janë dërguar ekipe shtesë të Policisë së Kosovës.

Kjo pasi Policia ka informata se aty mund të ketë protestë.Sipas Policisë së Kosovës mund të ketë një grup të motoristëve vec që mund të mblidhen para pikës kufitare.

Kjo është konfirmuar nga zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.“E konfirmoj që kemi nis njësite të mjaftueshme policore në rast se ka ndonjë problem ose vjen dikush me protestu, me ndërhy ose diçka”– ka thënë ai.“Ka gjasa me pas protestë ose hyrje në Kosovë, i kemi disa informata për disa biçiklista, motoçiklista që po e quajnë vetën ata” – ka shtuar tutje Elshani.

Më 28 qershor 2023, një grup i qytetarëve serbë, të cilët kishin motoçikleta me vete kishin protestuar në këtë pikë kufitare, nga ana e Serbisë.Në videot që kishte siguruar KALLXO.com shiheshin disa persona të cilët hedhin fishekzjarrë në drejtim të pikës kufitare.Po atë ditë ishte mbajtur edhe festa e Vidovdanit e cila kishte kaluar pa ndonjë incident.

 

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, qytetarë të komunitetit serb kanë mbajtur protesta.Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.Po ashtu, protestuesit kanë sulmuar edhe policët, gazetarët dhe qytetarë.