Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Xhevahire Izmaku sot i është bashkuar Nismës Socialdemokrate, duke u rikthyer kështu në skenën politike pas një kohë ndërprerjeje të saj nga aktivitetet politike.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, mirëpriti aderimin e Izmakut në partinë e tij, derisa përmendi rrugëtimin e vështirë drejt rindërtimit të shtetit.
Limaj tha se me Izmakun kanë filluar rrugëtimin politik qe nga 1999, për të kontribuar në ri-ngritjen e shtetit, zhvillimin ekonomik, për çka tha se do të vazhdojnë fuqishëm me konceptin për zhvillimin e vendit tonë.
Limaj: Me Xhevën rrugëtuam në kushte të vështira për ri-ndërtimin e shtetit
“Sot e prezantojmë profesoreshën e nderuar, drejtoreshë e komunikimit, një shoqe, një mike e hershme e imja dhe shokëve. Me Xhevën e kemi nisur bashkë në politikë qe nga 1999. Kemi rrugëtuar në kushte të vështira. Një Kosovë e djegur, e rrënuar, e shkatërruar nga lufta, me shumë gra e vajza e djem si Xheva kemi filluar rindërtimin vendit tonë, ri-ngritjen e vendit tonë, shërimin e traumave të luftës, rindërtimin ekonomik të vendit tonë… Ne nuk kemi ndryshuar në pasionin tonë, idealin tonë, në ëndrrat tona për ndërtimin e vendit. Kjo paraqet ruajtjen e konceptit origjinal autentik që neve dikur na ka bashkuar në ‘99. Ne i ruajmë fuqishëm atë ide, atë koncept, atë origjinë për ta shtyrë tutje, sepse ne besojmë që Kosova duhet të ketë njerëzit e vet profesionalisht të përgatitur, me përvojë dhe që e duan vetën e tyre”, tha Limaj.
Ish-deputetja e PDK-së, tashmë anëtare e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku u zotua se do ta përdorë tërë potencialin e saj profesional e politik për të ngritur dhe fuqizuar këtë parti.
Izmaku: Do ta përdor potencialin politik për të fuqizuar Nismën Socialdemokrate
“Unë vetëm po e rifilloj aktivitetin tim politik, aty ku e kam lënë dhe ku e kam filluar me Limajn para 25 vjetësh. Pra, ne ishim bashkë në nismat politike, në një organizim politik që kishte të bënte me një koncept politik që lidh një ADN të përbashkët me të cilën sot do ta vazhdoj aktivitetin politik. Do ta përdor energjinë time, energjinë e akumuluar dhe potencialin profesional e politik për të ngritur dhe fuqizuar Nismën Socialdemokrate dhe realisht do të bëj përpjekje të jem një ekuivalent grua në lidershipin e Nismës Socialdemokrate. Politikat socialdemokrate kanë qenë angazhimi im edhe si deputete duke marrë nisma dhe amendamente, të cilat i kam përfshirë në komunitetet gjenerale që kanë qenë të nevojshme për të kontribuar në aspektin social”, potencoi Izmaku.
Para tri vjetësh, Xhevahire Izmaku ka dhënë dorëheqje nga të gjitha strukturat dhe funksionet e PDK-së, pas rreth dy dekadash sa ishte pjesë e saj. Ndërkaq, NISMA dhe AAK-ja janë në koalicion parazgjedhor.