Policia e Kosovës i ka nisur hetimet për shpërndarjen e disa fletushkave në katër komunat veriore të Kosovës ku bëhet thirrje për rezistencë ndaj Policisë së Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veri, Veton Elshani.
Ai tha se nuk kanë informata se nga kush janë shpërndarë ato fletushka meqë ende nuk ka të arrestuar, mirëpo shtoi se rastet në Polici janë hapur sepse ka të bëjë me nxitje të urrejtjes.
“Ne nuk e dimë ende nga kush janë vendosur, i kemi disa që i vendosin, i kemi disa që i fshijnë, kemi raste të tilla por për neve nuk janë shumë për tu shqetësuar, rastet hapen sepse janë nxitje e urrejtjes në këtë rast. Ajo çka është me rëndësi është që Polica e Kosovës është e aftë me u marrë me raste të rënda si rasti i Banjskës dhe rastet tjera të ngjashme dhe ne deri në atë moment zhvillojmë hetime nëse kemi, arrestojmë persona nëse kemi, por nuk është për tu shqetësuar. Nuk e dimë nga kush janë vendosur sepse nuk kemi persona të arrestuar apo dyshuar por jemi duke punuar në këtë drejtim. Gjithmonë hapet rast sepse është një organizatë që është shpallë organizatë terroriste, në momentin që e kemi emrin e saj diku hapet rast mandej këto hetohen si raste”, tha Elshani.
Mirëpo, i pyetur nëse bëhet fjalë për organizatën ‘Brigada e Veriut’, ai tha se nuk do të thotë që është ajo organizatë me atë emër.
“Nuk do të thotë që është ai emër, ajo çka është me rëndësi ne jemi të përgatitur, ne nuk kemi problem as me grupe kriminale e as të kaluar kriminale, sepse është një grup i vogël, ndërsa nëse mund ta quaj ashtu ‘butonin e panikut e prek Serbia’, ne kemi strukturat paralele në veri, sistemin e edukimit, arsimimit, shëndetësisë, shërbimeve sociale që paguhen prej Serbisë dhe në momentin që dëshiron të bëjë Serbia diçka i detyron me dalë në protestë, shembull sot që është organizuar një protestë ata e kanë obligim të dalin në protestë”, tha Elshani.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veri, Veton Elshani, tha se në rastet kur organizohet protestë apo në të kaluarën si kanë ndodhur barrikadat, punonjësit shëndetësor i kanë 30 minuta kohë nga strukturat kriminale serbe që të dalin në vendin e caktuar.