Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Një grua presidente në Maqedoninë e Veriut, Osmani uron homologen

Për herë të parë, Maqedonia e Veriut e ka një grua presidente të shtetit.

Për Gordana Silanovska Davkova të VMRO DPMNE-së, kanë votuar mbi 560 mijë qytetarë.

Davkova e fitoi balotazhin presidencial të 8 majit ku kundërkandidat e kishte Stevo Pendarovskin nga Lidhja Social Demokrate.

E përveç atyre presidencialeve, shqiptarët dhe maqedonasit votuan edhe për zgjedhjet parlamentare.

1755 kandidatë nga 17 koalicione me 5 parti garuan për 120 vende në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Edhe këtu, 58 ulëse i fitoi partia maqedonase VMRO DPMNE.

Duke vazhduar me “Frontin Evropian” i cili i fitoi 19 mandate, 9 nga të cilat i takojnë Bashkimit Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit dhe 10 ulëse të tjerat partnerëve të koalicionit parazgjedhor.

Ahmeti ka postuar në rrjetin e tij social vetëm numrin 137 mijë e 486 që është numri i votuesve të tij gjatë së mërkurës.

Pas tij, 19 ulëse i morën prapë maqedonasit në krye me LSDM-në.

E opozita shqiptare e bërë bashkë në koalicionin “Ndryshimi Vlen” i ka fituar 13 ulëse në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut.

Ata mbrëmjen e së mërkurës, bashkë me simpatizantët festuan para selive të tyre me këngë dhe valle.

Madje, këtu nuk mungoi as flamuri kuq e zi.

E përfaqësuesit e këtij koalicioni shprehen mirënjohje për votuesit të enjten.

“Ne do të jemi zëri i shqiptarëve në Qeverinë e re, sepse ne jemi përfaqësuesit e votës së pastër shqiptare”, tha Izet Mexhiti.

“Sot është Dita e Evropës. Nuk ka mënyrë më të mirë se sa orët e para të Ndryshimit të Madh për ta festuar këtë ditë”, tha Arben Taravari.
12 ulëset e mbetura të Kuvendit të RMV-së u ndanë mes partisë E majta dhe lëvizjes ZNAM.

E fitoren e një gruaje në Maqedoninë e Veriut e ka përshëndetur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Kosova dhe Maqedonia e Veriut gëzojnë raporte të shkëlqyera fqinjësore dhe ndajnë angazhim të fortë për integrim evropian. Mezi pres të punoj me presidenten e zgjedhur për ta arritur këtë qëllim të përbashkët dhe t’i thellojmë marrëdhëniet mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në urimin e Osmanit.

Gjatë procesit të votimit të 8 majit në Maqedoninë e Veriut, disa shqiptarë që jetojnë atje e kanë bojkotuar votimin për president pasi nuk kishte kandidat shqiptarë për shefin e shtetit.