Një grup motoçiklistësh nga të njohur si “Bike Rock Mission”, kanë defiluar në afërsi të vendkalimit kufitar të Jarinës nga ana e Serbisë, për të festuar Vidovdanin në mënyrën e tyre.
Motoçiklistët bënë provokime dhe shpalosën flamurin serb dhe dërguan mesazhe “përkrahëse” për serbët në Kosovë.
Grupi i motoçiklistëve në fjalë edhe viteve të kaluara kanë bërë defilime të tilla madje edhe duke u futur në territorin e Kosovës.
Mirëpo këtë vit ata u mblodhën në afërsi të Jarinës nga drejtimi i Rreshkës, ku dëgjoheshin zhurmat e motorëve, ndërsa janë parë edhe re tymi e fishekzjarrë.
Çdo vit ata largohen nga Beogradi në mënyrë të organizuar për në Mitrovicën e Veriut.
Në momentet që motoçiklistët defiluan, raportohet se trafiku është ndërprerë.
Mirëpo Policia e Kosovës njofton se trafiku në drejtim të kësaj pike është duke funksionuar normalisht.
“Rruga në Jarinje që të dërgon për në pikën kufitare është e hapur për qarkullim”, ka deklaruar Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut.