
Një person humbi jetën dhe 50 të tjerë u plagosën pas shembjes së një ndërtese në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok, si pasojë e tërmetit në Myanmar i cili u ndje nga shteti fqinj.
Një numër i panjohur personash janë bllokuar nën grumbujt e materialeve. Ndërtesa, e cila dukej se ishte në ndërtim e sipër, u shkatërrua për disa sekonda, shkruan CNN.
Ndërkohë që Myanmar dhe Tajlanda kanë deklaruar situatë të jashtëzakonshme, India shpreh gatishmërinë të dërgojë ndihmë. “Jam i shqetësuar për situatën pas tërmetit në Myanmar dhe Tajlandë”, tha Kryeministri i Indisë, Narendra Modi në X, përcjell KosovaPress.
“India është e gatshme të ofrojë çdo ndihmë të mundshme”. Autoritetet në Indinë fqinje dhe Bangladesh raportuan se nuk kishte pasur ndikim të madh nga tërmeti me magnitudë 7.7 që goditi Myanmar.