Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Një i vrarë dhe një i vetëvrarë me armë zjarri në Korçë

Një i vrarë dhe i një i vetëvrarë është bilanci i një ngjarje të rëndë të ndodhur mbrëmjen e kësaj të mërkure në qytetin e Korçës. Viktimë nga kjo ngjarje kanë mbetur Emiljano Pine alias Jorgo Prifti, rreth 40 vjeç dhe Ilo Lluka.

Sipas policisë, për shkaqe momentalisht të panjohura, Lluka qëlloi në drejtim të Pines duke e lënë fillimisht të plagosur. 40-vjeçari u nis me urgjencë drejt spitalit, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë.

Sa i përket autorit të dyshuar, sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, pasi qëlloi në drejtim të Pines të paktën 4 herë, duke e lënë atë të gjakosur përtokë, e drejtoi më pas armën nga vetja, duke u vetëvrarë.

Shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë nuk dihen ende. Gazetarja Daniela Zisi, thotë se Emiliano Pine e kishte ndërruar emrin në Jorgo Prifti.

“Më datë 28.02.2024, rreth orës 20:25, në lagjen nr. 18, Korçë, rruga “Koço Golniku”, një shtetas ende i paidentifikuar, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri Emiliano Pine, rreth 40 vjeç, banues në Korçë, i cili ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës. Autori i dyshuar i krimit, pasi ka qëlluar 40-vjeçarin, dyshohet se është vetëvrarë me armën e krimit.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës armën e krimit, gëzhojat. Gjithashtu janë administruar dhe po këqyren pamjet filmike nga kamerat e sigurisë. Për këtë rast është krijuar një grup i posaçëm hetimor i cili po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për identifikimin e autorit të ngjarjes”, tha policia e Korçës në një njoftim paraprak për mediat./tvklan.al