Gjakovë- Gjykata Themelore në Gjakovë, Dega në Malishevë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të dyshuarit K.Sh., pronari i lokalit ku dyshohen se u helmuan mbi 100 persona, në Malishevë.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Lekë Muqaj, zëdhënës i Gjykatës Themelore në Gjakovë.
Muqaj tha se K.Sh., dyshohet për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor”, ndërsa masa e paraburgimit të njëjtit do t’i llogaritet nga 13 tetori deri më 12 nëntor 2023.
Kjo masë e paraburgimit, të dyshuarit K.Sh., i është caktuar nga gjykatësi i procedurës paraprake, Njazi Morina.
Ndryshe, mbi 100 persona dyshohen se janë helumuar si pasojë e konsumimit të ushqimit në lokalin e të dyshuarit në Malishevë,.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dje njoftoi se ka vizituar të hospitalizuarit pas rastit të helmimit dhe se gjendja e tyre është e qetë dhe stabile.