Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Një shqetësim serioz”/ Pse bastisen shtëpitë e ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit!?

 
   

Ditëve të fundit me urdhër të Prokurorit të Specializuar janë bastisur shtëpitë e disa prej ish-këshilltarëve të ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në lidhje me këto zhvillime ka folur në një koment në Facebook njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Prof. Dr. Enver Bytyçi.

Ai ka thënë se ndonëse askush nuk e di arsyen e bastisjen, “nuk duhet përjashtuar mundësia që këshilltarët t’i kenë shërbyer Hashim Thaçit edhe në paligjshmëri!”

“Pse po bastisen shtëpitë e ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit?!

Sot u bastis banesa e një ish-këshilltari tjetër të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit. Seria e këtyre bastisjeve filloi me shtëpinë e Blerim Shalës dhe ish-shefit të AKI-së. U kontrolluan edhe tri shtëpi ish-këshilltarësh. Çfarë po ndodh? Pse bastisen nga Specialja gjithë këto shtëpi?! A është normale kjo?! Pse duhet që të trazohen familjarët e këtyre njerëzve që i kanë shërbyer zotit Thaçi?!

Baton Haxhiu thotë se është rrëshqitje e Gjykatës Speciale t’ia bastisësh shtëpinë Blerim Shalës. Por as Batoni nuk besoj se e di arsyen pse po ndodh kjo. Nuk e di as unë, që shkruaj këto radhë. Megjithatë nuk duhet përjashtuar mundësia që këshilltarët t’i kenë shërbyer Hashim Thaçit edhe në paligjshmëri! Ka diçka që ka ndodhur asokohe dhe sot hetuesit e prokurorët të jenë informuar për këto shkelje. Këshilltarët e liderëve të marrë peng bëhen dhe ata peng të pengut të pengut!”, shkruan Bytyçi.

Sipas tij, bastisjet bëhen për të zbuluar të dhëna, fakte e prova në funksion të akuzës që Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë ka ngritur kundër ish-presidentit të Kosovës.

“Rastësisht ose gabimisht mund të ndodhë të kontrollohet e bastiset banesa e një ish-këshilltari. Por kontrollet e bastisjet seriake flasin për një shqetësim serioz. Nuk ka logjikë tjetër! Bastisjet bëhen për të zbuluar të dhëna, fakte e prova në funksion të akuzës që Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë ka ngritur kundër ish-presidentit të Kosovës. A është e mundur që ato prova të fshiheshin te këshilltarët e tij?! Asgjë nuk përjashtohet! Sidomos kontrolli i shefit të shërbimit sekret duhet pranuar si i tillë!”, ka përfunduar Bytyçi.

Kujtojmë se, mëngjesin e së mërkurës, Gjykata Speciale e ka bastisur edhe shtëpinë e Ismail Sylës, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi.