Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Njerëzit hidhen në oqean për të ikur nga zjarret në Maui, linja 911 ndërpritet

Zjarret e egra që shpërthejnë jashtë kontrollit në Maui janë katastrofike, sa që disa banorë po hidhen në oqean për t’i shpëtuar flakëve.

Edhe ekuipazhet e emergjencës mund të mos jenë në gjendje të ndihmojnë pasi zjarret, të nxitura pjesërisht nga uragani “Dora” që shpërtheu rreth 800 milje larg, kanë ndërprerë shërbimet dhe komunikimet përmes linjës 911 në Maui.

“911 nuk funksionon. Shërbimi telefonik nuk funksionon,” tha për CNN të mërkurën në mëngjes guvernatorja e Hawaiit Sylvia Luke.

“Sistemi ynë spitalor në Maui është i mbingarkuar me pacientë të djegur, njerëz që vuajnë nga inhalimi. “Ne duhet t’i largojmë njerëzit nga Maui për t’u dhënë atyre ndihmë për djegiet, sepse spitali në Maui nuk mund të bëjë trajtim të gjerë të djegieve”, tha ajo.

Po ashtu, energjia elektrike është ndërprere në rreth 14,000 shtëpi dhe biznese në Maui, sipas PowerOutage.us.

Hawaii nuk është i vetmi shtet amerikan që po përballet me zjarret shkatërruese, një trend që disa ekspertë e kishin parashikuar për këtë sezon. Pjesë të Teksasit janë nën një rrezik kritik.

Por kriza që po ndodh në Maui është e jashtëzakonshme, tha nënguvernatorja e Hawaii-t.

“Fakti që kemi zjarre në zona të shumta si rezultat i tërthortë nga një uragan është i paprecedentë,” tha Luke.

Clint Hansen ka xhiruar një video me dron të martën mbrëma që tregonte zjarret që përhapeshin në veri të Kiheit.

“Lahaina është shkatërruar”, tha Hansen për CNN.

“Njerëzit po kërcejnë në oqean për t’i shpëtuar flakëve. Të gjithë pronarëve të varkave u kërkohet të shpëtojnë njerëzit. Është apokaliptike”, tha Hansen.

Një duzinë njerëz u shpëtuan pranë Lahaina pasi “hynë në oqean për shkak të kushteve të tymit dhe zjarrit”, thanë rojet bregdetare dhe zyrtarët e qarkut.

“Individët u transportuan nga roja bregdetare në zona të sigurta,” thanë zyrtarët e qarkut Maui.

Zyrtarët e zjarrfikësve në Maui paralajmëruan se era e çrregullt, terreni sfidues, shpatet e pjerrëta dhe lagështia, plus drejtimi dhe kushtet e zjarrit e bëjnë të vështirë parashikimin e rrugës dhe shpejtësisë së një zjarri, sipas zyrtarëve të qarkut Maui.

“Zjarri mund të jetë një milje ose edhe më larg nga shtëpia juaj, por në një ose dy minuta, mund të mbërrij në shtëpinë tuaj,” tha ndihmësi i shefit të zjarrfikësve të qarkut Maui, Jeff Giesa.