Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Njohësi i çështjeve evropiane: Liberalizimi i vizave shumë i vonuar

 
   

Liberalizimi i vizave është bërë sërish ‘mollë sherri’ i përplasjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe PDK-së.

Derisa në Vetëvendosje vazhdojnë t’i marrin meritat për liberalizim të vizave proces i cili nis nga 1 janari i vitit 2024, në PDK vlerësojnë se meritat e vetme të partisë në pushtet kanë qenë gazi lotsjellës në Kuvend dhe kauzat e rrejshme për Asociacionin.

E njohësi i proceseve evropiane, Shenoll Muharremi thotë se asnjë parti në Kosovë nuk duhet të mburret me liberalizmin e vizave.

Sipas tij, ky proces është tepër i vonuar dhe si i tillë nuk ka arsye për mburrje.

“Sa i përket liberalizimit, meritat janë të të gjitha institucioneve. Partitë politike duhet të jenë më të heshtura se edhe ashtu ky proces ka zgjatur 3-4 herë më shumë për Kosovën sesa vendet tjera që lëvizin lirshëm më shumë sesa një dekadë. S’ka asgjë për t’u mburrur këtu”, tha ai.

Ditë me parë kryeministri Kurti është mburrur sërish për liberalizimin e vizave, duke ja kredituar meritat krejtësisht qeverisë së tij.

Ndaj kësaj ka reaguar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka thënë se Vetëvendosje nuk ka kontribut në liberalizimin e vizave.

Çitaku ka thënë se kontributi i vetëm i VV-së dhe Kurtit është vonimi që i ka shkaktuar procesit të liberalizimit të vizave.