Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier i bërë sërish ftesë publike kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të bashkëpunojë me faktorin ndërkombëtar për hapjen e Urës së Ibrit.
Pasi që, sipas ambasadorit amerikan, hapja e Urës në këtë kohë mund t’i rrezikojë ushtarët amerikanë.
Por për kryeministrin kosovar nuk është në diskutim nëse do të hapët Ura e Ibrit, por, siç thotë ai, kur do të bëhet kjo.
“Nuk është çështje diskutimi, është çështje hapje. Në vitin 2016 janë përmbyllur të gjitha diskutimet dhe është thëne se ura duhet të hapet më 20 janar 2017. Tash nuk jemi as në janar as në 2017, jemi në gusht 2024”, ka thënë Kurti.
Kjo vendosmëri e kryeministrit Kurti është kritikuar nga deputetët opozitar e njohësit e çështjeve të sigurisë, duke thënë se mund të sjellë tensione të reja në atë pjesë veriore të vendit.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala ka paralajmëruar se nëse hapet Ura e Ibrit do të ketë protesta atje nga strukturat paralele serbe.
Shala thotë se Serbia do ta bartë barrën te Kosova për çdo zhvillim tek Ura.
“Nëse kemi hapje të Urës do të ketë protesta të formave të ndryshme dhe strukturat paralele serbe të cilat tani nuk janë aktive ato do të riaktivizohen nga ana e Serbisë, por barra do t’i bartet Kosovës”, deklaron Shala.
Tutje, Shala theksoi se Kurti duhet t’i dëgjojë kërkesat e ndërkombëtarëve e mos të veprojë njëanshëm.
“Hovenier doli qartazi kundër vendimeve të njëanshme të Kurtit. Ura e Ibrit është një çështje e cila duhet të kaloj përmes dialogimit në Bruksel pasi të gjithë ndërkombëtarët po deklarojnë se nuk duhet të hapat ajo urë me vendime të njëanshme, Kurti duhet t’i dëgjojë”, u shpreh Shala.