Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Njohja e fundit nga Izraeli, këto janë pengesat më të mëdha të Kosovës në sigurimin e njohjeve të reja

 
   

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, gati një dekadë pas përfundmit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe.

Sipas listës zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme e Diasporës, Kosova njihet nga 117 shtete.

Gati gjysma e shteteve që e kanë njohur Kosovën, e kanë marrë këtë vendim në vitin e shpalljes së pavarësisë, më 2008.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovën nuk e njeh ende Serbia, e cila me Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë si pjesë të veten, e as Bosnje dhe Hercegovina.

Ndërsa, vendet e BE që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë: Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Qipro.

Njohja e fundit që ka marrë Kosova ka qenë nga shteti i Izraelit, në shkurt të vitit 2021.

Kjo njohje ka qenë pjesë e një marrëveshjeje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e nënshkruar në Uashington, më 4 shtator, 2020, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Gjatë gjithë këtyre viteve, Serbia në vazhdimësi ka lobuar kundër Kosovës nëpër vende të ndryshme të botës, madje duke kërkuar nga disa prej tyre edhe tërheqjen e njohjeve.

Ndonëse, pavarësia e Kosovës është një fakt i kryer, shtetit serb vazhdon me propangandat e tij të ulëta dhe provokimet e vazhdueshme.

Karahas kësaj, ka pas kritika edhe për Ministrinë e Punëve të Jashtme, për mos angazhim të mjaftueshëm në sjelljen e njohjeve të reja.

Disa kanë thënë se dialogu me Serbinë dhe tensionet e vazhdueshme në veri të vendit po ndikojnë negativisht në procesin e sigurimit të njohjeve të reja.

E për këtë çështje më gjerësisht folën analistët politikë.

Shabani: Tani Kosovën e pengojnë edhe konfliktet me Serbinë

 Image
 Amir Shabani 
 

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani tha se që nga shpallja e pavarësisë, me 17 shkurt 2008, Kosovën e kanë njohur shumë shtete të ndryshme.

Mirëpo, ai tha se 16 vjet pas pavarësisë, integrimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare duket të jetë i stagnuar.

“Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, një numër vendesh, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën, Shqipërinë, Afganistanin, Australinë etj. e njohën Kosovën si shtet të pavarur gjatë ditëve në vijim.

Në korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë hodhi poshtë pretendimet serbe se masa kishte shkelur integritetin e saj territorial dhe arriti në përfundimin se shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 nuk shkelte ligjin e përgjithshëm ndërkombëtar.

Por, tani e 16 vjet pas pavarësisë, integrimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare duket të jetë i stagnuar dhe kjo padyshim se i shfaq pengesa politike”, deklaroi ai.

Shabani foli edhe për punën e MPJD-së në këtë aspekt, duke thënë se ka mungesë të njohjeve dhe se konfliktet me Serbinë po e pengojnë të ketë rezultate në këtë aspekt.

“Sa i përket MPJD-së, ajo ka marr vërejtje të rregullta nga analistë dhe populli se nuk ka shfaqur angazhim të lartë rreth njohjeve, kjo ndoshta për faktin se tani Kosovën e pengojnë edhe konfliktet me Serbinë. Mirëpo, kujdesi i diplomacisë kosovare për të sjellur njohje të reja duhet të jetë i pazëvendësueshëm sepse rezultati i saj është fuqizimi i Kosovës me miq ndërkombëtarë”, theksoi eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ndër të tjera, tha se bisedimet me Serbinë janë bërë pengesë për Kosovën në shumë çështje, veçanërisht në këtë të njohjeve.

Madje, potencoi se pavarësisht përpjekjeve të diplomacisë së vendit tonë, nuk do ketë rezultate të njohjeve përderisa nuk zgjidhet çështja me Serbinë.

“S’ka dyshim se dialogu me Serbinë po bëhet pengesa kyçe drejt ecjes së proceseve në përgjithësi dhe ai i njohjes në veçanti, për Kosovën. Kjo ka shfaqur edhe pasiguri dhe gjendje destabiliteti në tërë Ballkanin Perëndimor dhe mu për këtë arsye, aleatët e fuqishëm të Kosovës, siç janë SHBA, BE, MB – duhet t’i dalin në ndihmë karshi Serbisë dhe kësaj të fundit t’ia mundësojnë përballjen me drejtësinë në gjykatat ndërkombëtare. Sepse pavarësisht angazhimit të diplomacisë kosovare, nuk do ketë rezultate të larta të njohjes përderisa pengesa me Serbinë nuk zgjidhet”, përfundoi Amir Shabani për “Bota sot”.

Mehazi: Pika më e dobët e qeverisë së Kosovës është se nga 2020 nuk ka pasur asnjë njohje të reja

 Image
 Sulejman Mehazi 
 

Kurse, analisti politik, Sulejman Mehazi, gjatë urimit të tij për përvjetorin e 16-të të pavarësisë, ai shpreson se në vitin 2024 do ketë njohje nga shtetet që deri tash ende se kanë njohur Kosovën.

“Pikësëpari gjithë shqiptarëve e veçanërisht qytetarëve dhe qeverisë së Kurtit ua urojmë 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës që e ardhmja e saj të jetë në BE, NATO dhe të gjitha institucionet më të larta politike, diplomatike dhe ekonomike botërore!

E veçanta e 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës është që gjatë 2024 të ketë më shumë njohje sidomos nga pesë shtetet e BE-së, Spanja, Sllovakia, Romania, Greqia dhe Qipro, që nuk e kanë njohur ende Kosovën”, u shpreh profesori.

Sipas tij, mungesa e njohjeve qëndron te puna e MPJD-së dhe ministres Gërvalla.

“Stagnimi i njohjeve nuk vjen aq nga dialogu me Serbinë, por nga pasiviteti i Shefes së Diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvalla e cila si vërehet nuk është aq aktive përballë shteteve që pritojnë ta njohin Kosovën. Edhe pse me ardhjen e Gërvallës në krye të diplomacisë kemi shpresuar se lëvizjet e saja diplomatike do të shtonin njohjet, por doli e kundërta se Donika Gërvalla në krye të Ministrisë së Jashtme të Kosovës nuk ka sjellë asnjë njohje të re të Kosovës, njohja e fundit më 2020 ka qenë Izraeli kështu që kanë kaluan tri vite të zbrazura pa mos u njohur Kosova nga shtetet tjera të botës”, nënvizoi ai.

Në fund, Mehazi tha se pika më e dobët e kësaj qeverie është stagnimi i njohjeve të reja.

“Pra, pika më e dobët e qeverisë së Kosovës është se nga 2020 nuk ka pasur asnjë njohje të reja nga shtetet që nuk e kanë njohur ende Kosovën.

Shkurt, stagnimi i njohjeve të reja të Kosovës nuk vjen as nga dialogu me Serbinë, as nga Serbia, por nga mosangazhimi i Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.