Gjërat mund të ndërrojnë nga një moment në tjetrin (rreth njohjes së Kosovës), duke e marrë parasysh ‘mendjen e ndërrueshme’ të Pedro Sanchez.
Këtë pohim e lëshon gazeta madrilene “La Razon” teksa raporton për iniciativën e partisë katalonase, Junts, për njohjen e Kosovës.
“E vërteta është që Kosova mezi ia ka dalë të nxjerr njohje nga 100 vende (96 për të qenë të saktë), por ende s’e ka marrë ‘po’-në e pesëshes së BE-së: Spanjës Qipros, Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë”, shkruan gazeta madrilene me orientime të djathta dhe konservatore.
“Spanja, sa për tash, ka qenë larg së mbështeturi Kosovën, ndonëse nëse marrim për bazë ‘mendjen e ndërrueshme’ të Sanchez-it, gjërat mund të ndërrojnë nga një moment në tjetrin. Kjo për shkak se gjatë qeverisjes së kryetarit të socialistëve ka pasur ndërrime diametrike në Politikën e Jashtme me Marokon, dhe Junts po duan ta detyrojnë ndërrimin edhe në drejtim të Kosovës”, shkruan më tej “La Razon”.
Junts në iniciativën e tyre e përfshijnë një përgjigje të qeverisë spanjolle të tetorit 2021, ku artikulohen arsyet zyrtare për mosnjohjen e Kosovës.
“Spanja mban qëndrimin e mosnjohjes së deklaratës së njëanshme të pavarësisë të miratuar nga Prishtina në vitin 2008, si akt i njëanshëm. Megjithatë, nga një qasje konstruktive, ajo konsideron se është koha për të bërë përpjekje të konsiderueshme për zgjidhjen e çështjes së territorit të Kosovës në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me një marrëveshje që respekton të drejtën ndërkombëtare”.
Kosova më kot ka kërkuar njohjen e Spanjës, këta të fundit duke iu referuar dialogut të BE-së për një zgjidhje në kontestet me Serbinë që lë shijen e “shohim e bëjmë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në “El Pais” kërkonte njohjen nga Madridi duke provuar të artikulojë dallimet mes Kosovës dhe Katalonisë; si dy raste krejtësisht të ndryshme.
“Spanja duhet dhe do ta njohë Kosovën. Siç ka thënë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, kur fitoi çmimin Princi i Asturias: ‘Spanja nuk duhet të krahasohet kurrë me Serbinë, sepse Serbia kreu gjenocid në Kosovë’”, shprehej Kurti në gazetën spanjolle.
“Spanja duhet t’i bashkohet shumicës së shteteve anëtare të BE-së dhe NATO-s, të cilat e njohin Kosovën. Nuk duhet të jetë pakicë. Njëzet e dy nga 27 anëtarë të BE-së e njohin Kosovën, si dhe 26 nga 30 shtete anëtare të NATO-s. Spanja duhet t’i bashkohet shumicës”, përfundonte Kurti.