Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nju Jork, një person i vë zjarrin vetes para gjykatës ku mbahet gjyqi ndaj Trump

Një person i vuri zjarrin vetes të premten jashtë gjykatës së Nju Jorkut, ku po zhvillohej gjyqi historik ndaj ish-presidentit Donald Trump, njoftoi agjencia Reuters duke cituar gazetarët e rrjetit televiziv CNN.

Gazetarët e CNN-it thanë se panë një burrë të përfshirë nga flakët për më shumë se tre minuta. “Shoh një person plotësisht të djegur”, tha njëri prej tyre gjatë një raportimi të drejpërdrejtë.

Përfaqësuesit e departamenteve të policisë dhe zjarrfikësve të Nju Jorkut, si dhe zyrës së kryetarit të bashkisë nuk mund të kontaktoheshin menjëherë për koment.

Personi i djegur mori kujdes mjekësor dhe u largua nga zona, sipas gazetarëve të CNN-it që ndodheshin në vendngjarje, të cilët shtuan se rrethanat e incidentit ishin të paqarta.

Gjykata në Nju Jork është tashmë nën masa sigurie të shtuar, duke pasur parasysh praninë e ish-presidentit në sallën e gjyqit çdo ditë.

Ngjarja ndodhi ndërsa procesi i përzgjedhjes të gjithë anëtarëve të jurisë në gjyqin penal ndaj ish-presidentit Donald Trump u përmbyll të premten duke i hapur rrugën prokurorëve dhe avokatëve mbrojtës që të bëjnë deklaratat hapëse javën e ardhshme, në një çështje që rrjedh nga paratë paguar një ish-aktoreje filmash për të rritur për të blerë heshtjen e saj lidhur me një marrëdhënie të dyshuar me zotin Trump.

Dymbëdhjetë anëtarët e jurisë që u zgjodhën të enjten, së bashku me gjashtë rezerve të zgjedhur të premtën, do të shqyrtojnë provat në procesin e parë gjyqësor penal ndaj një ish-presidenti./ VOA