Një e moshuar denoncoi në emisionin “Fiks Fare” se i është marrë shtëpia dhe ajo, së bashku me bashkëshortin, kanë ngelur rrugëve.
Lumturi Baho tha për emisionin investigativ se ka pasur një apartament në qytetin e Lushnjes, në bashkëpronësi të saj, burrit dhe djalit. Fillimisht, djali u ka lënë prokurë përfaqësimi, por më pas e tërheq në vitin 2019. Madje, bën edhe një akt-noterial.
Në vitin 2020, dy të moshuarit, që s’kishin dijeni për aktin noterial të djalit, ia kalojnë shtëpinë me noteri vajzës. Noteri që bëri akt-shitjen, nga të moshuarit te vajza e tyre, nuk verifikoi tërheqjen e prokurës nga djali, duke sjellë që në 2023 vajza të largojë me forcë nga shtëpia dy të moshuarit.
“Kemi pasur një apartament në Lushnje, në bashkëpronësinë time, burrit Sejmen Baho dhe djalit Altin Baho. Apartamentin e kemi pasur para viteve ’90 ne si çift, teksa pas privatizimit u fut edhe djali Altini. Jetuam dhe krijuam familje në atë banesë, dy djem dhe 1 vajzë. Ndërkohë, pak vite më parë, vajza na kërkonte që ne t’i kalonim në pronësi apartamentin, pasi edhe djali jetonte në Tiranë. Altini na kishte lënë një prokurë që ne të vepronim, por s’e dinim që ai e kishte revokuar” tregon e moshuara. Më tej pohon se ka shkuar te noteri Ardjan Karroqe në Lushnje dhe bëjnë një kontratë shitje pasuri e paluajtshme. “Të pranishëm ishim unë, burri dhe vajza. Unë dhe burri firmosim që t’i shesim shtëpinë vajzës, ndërkohë që në vend të Altinit (djalit) firmosa unë” tregon Lumturia.
Më tej pohon se kontrata është bërë në vitin 2020. “Jetuam dhe në verën e vitit 2023, kur vijmë nga plazhi nga Saranda, shohim që plaçkat tona ishin nxjerrë nga shtëpia. Na vodhën gjithçka kishim brenda. E bëri vajza dhe dhëndëri i transportonte” tregon duke lotuar Lumturia. Më tej pohon se ata janë pleq dhe se vajza u kishte premtuar se do të pleqëronin te ajo. “Na kishte thënë gjithmonë se më keni mua, do kujdesem për ju. Na nxori jashtë dhe tani rrugëve” vijon e moshuara. Ajo tregon se tani jeton në një shtëpi të vjetër në Delvinë, që është e prindërve të bashkëshortit. “E kemi rregulluar me se mundemi dhe atje jetojmë. Shtëpia në Lushnje tani ka kaluar në emër të vajzës. Asnjë nuk e verifikoi deklaratën e djalit dhe ne na nxorën me forcë, sikur të ishim kriminelë. Vajza kërkoi edhe urdhër mbrojtje ndaj nesh. Tani kemi probleme edhe me djalin, pasi i shitëm shtëpinë” përfundon Lumturia.
Pas ankesës, denoncuesja takon noterin Ardjan Karroqe, teksa e pyet se si u bë kontrata, kur djali i saj Altini e kishte revokuar kontratën e përfaqësimit. Noteri i thotë se në atë kohë, s’ka pasur sistem dhe duhet që njëra nga palët t’ia kishte sjellë noterit. “Ia keni dhënë me dorën e tyre dhe tani jeni jashtë. Atëherë s’kishte sistem të përgjithshëm” u thotë ai. Ndërkohë, qytetarja i kërkon se si mund të revokohet ajo kontratë, teksa ai i thotë se vetëm në gjyq. “Nuk më ka prurë njeri mua revokim këtu. Se atëherë nuk ka pasur sistem. Duhet që qytetari të merrte përsipër, që këtë revokim t’ia çonte çdo zyre më vete. Tek unë nuk ka prurë gjë. Pruri dokumentet, bëri veprimet dhe kaq mbetëm. Erdhët ju të dy burrë e grua, erdhi edhe vajza. Më vjen keq për ju që mbetët kështu. Vetëm kjo rruga e gjyqit është. Duhet t’i drejtoheni gjykatës për shpalljen e pavlefshmërisë absolute të kontratës së shitblerjes. Sepse me ju, përderisa ka vepruar kështu, është mashtrim dhe djali e ka bërë në 2018 revokimin e prokurës e nuk ka qenë dakord” thotë noteri.
Grupi i Fiks Fare, sëbashku me denoncuesen 74 vjeçare, shkoi në zyrën e noterit Sherif Shehu, i cili ka marrë arkivën e ish noterit Ervin Hasani. Në zyrën e këtij të fundit u përpilua edhe revokimi i prokurës nga Altin Baho. Noteri pohon se revokimi i prokurës është bërë në vitin 2019 dhe jo në 2018-ën. “Ka një lapsus, se në letër shkruhet 2018 por është bërë në vitin 2019. Janë probleme në fillim viti që s’hiqen datat” thotë ai. Fiksi e pyet nëse djali i denoncueses. Altin Baho ka revokuar kontratën. “Po, e ka bërë” thotë noteri. Fiksi e pyet se kur është hedhur në sistem. “Në sistem është hedhur në janar 2019” pohon ai.
Por, përse nuk e ka parë askush këtë revokim kontrate? Fiksi bisedoi me noterin Ardjan Karroqe, i cili ka bërë kontratën e shitjes së apartamentit në vitin 2020. Noteri pohon se në zyrë kanë qenë dy të moshuarit dhe vajza e tyre. Pyetjes se një nga 3 bashkëpronarët, Altini, e kishte revokuar prokurën ndaj prindërve dhe përse nuk u verifikua, noteri pohon se s’kishte dijeni në atë kohë. “Në 2019 s’kanë pasur bar kod aktet noteriale dhe s’kisha si ta verifikoja. Asnjëra nga palët nuk ma serviri. Madje s’ishte dorëzuar në asnjë institucion” shton noteri. Gazetarët e pyesin se, noteri tjetër tha se është hedhur në sistem në janar të vitit 2019. “Është një sistem i brendshëm, ku secili noter ka dritaren e vetë. Unë nuk mund të futem te noteri tjetër” thotë ai.
Askush në një qytet të vogël si Lushnja, ku të gjithë njohin njëri-tjetrin, s’ka pasur dijeni për revokimin e kontratës. Noteri Karroqe tha se, sistemi i ri, me bar kod, është bërë në vitin 2019, disa javë pasi u përpilua ajo deklaratë! Por, nëse një nga palët s’ka qenë prezent dhe s’ka firmosur, atëherë kontratë e shit-blerjes duhet të bëhet automatikisht nul. Noteri duhet të verifikonte, ose të paktën të lajmëronte bashkëpronarin, për aktin e bërë. Jo vetëm që s’u lajmërua, por edhe ai akt i prodhuar shkoi në Kadastër dhe prona iu mor dy të moshuarve. Në gjithë këtë histori, “faji” që dy të moshuar u nxorën nga banesa dhe janë rrugëve, i ka mbetur “sistemit”!/ Top Channel