Eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosjes i kanë reaguar me përçmim Manuel Sarrazinit, emisarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, i cili të enjten në një intervistën për Kohavision paralajmëroi përjashtimin e Kosovës nga CEFTA.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe komentatori politik Sadri Ramabaja tha se Sarrazin “nuk e ka as idenë çka flet”.
“Diplomati M.Sarrasin nuk e ka as idenë çka flet. Ai jeton në botën e tij ideologjike (të gjelbërt) dhe për rrjedhojë as që e njeh realitetin”, tha Ramabaja, duke e nënvizuar prapavijën politike të Sarrazin si anëtar i Partisë së Gjelbër në Gjermani.
Edhe deputeti Dimal Basha i ka kontestuar deklaratat e Sarrazin.
“Sarrazin po thotë që është jashtëzakonisht e rëndësishme lëvizja e lirë për mallrat e Serbisë në Kosovë, kurse është kategorik kundër lëvizjes së lirë të automjeteve mbi Urën e Ibrit!”, tha Basha.
“Dhe në fund thotë, jemi aleat dhe mik i juaji. Për besë kjo nuk është qasje që e ushtron ndaj një miku e aleati!”.