Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Nuk e kupton Shqipëria më mirë Serbinë se Kosova”, Lutfi Dervishi: Ka kaluar koha e “Vëllait të madh”

Analisti Lutfi Dervishi e cilësoi mungesën e takimit mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij, Albin Kurti, si një ndër ngjarjet më të rënda në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe theksoi se problemet mund të jenë më të rënda nga ato që serviren në publik.

“Kjo është një ndër ngjarjet më të rënda që ka ndodhur në marrëdhëniet mes dy vendeve, por mendoj se kjo është vetëm maja e ajsbergut. Edhe po u bë takimi sot apo nesër, kjo histori tregon që problemet janë të thella. Fakti që komunikimet bëhen me Tëitter tregon që ka një problem bazik që është ai i komunikimit, Dhe vijmë në këtë histori të spektaklit, citojmë kanunin”, tha Dervishi.

Sipas analistit, Shqipëria duhet të kuptojë që ka një pozicion tjetër tashmë pasi kohët kanë kaluar dhe nuk mund të luajë më rolin e vëllait të madh, pasi bëhet fjalë për dy shtete. Dervishi shtoi se Shqipëria nuk mundet asnjëherë ta kuptojë Serbinë më mirë se Kosova.

“Problemi duhet parë në rrënjët e marrëdhëniet mes dy vendeve që kanë ndryshuar në dialektikën e zhvillimit. Tirana duhet të kuptojë që ka një pozicion tjetër, nuk është më historia e vëllait të madh me të voglin. Janë dy shtete.

Shqipëria është rreshtuar në anën e sanksionuesve dhe bojkotoi takimin e dy qeverive, nuk kishte asnjë arsye. Shqipëria nuk e ka rolin as tagrin të bëjë ndërmjetësuesin, nuk i shkon.

Në Kosovë e kanë bërë të qartë, nuk mundet që Shqipëria ta ndjejë, ta kuptojë, ta nuhasë se e kupton Serbinë më mirë se Kosova. Problemet nuk zgjidhen me spektakël, por me logjikë. Takimi tashmë nuk ka më asnjë lloj vlerë, thjesht mund ta thellojë krizën”, u shpreh Dervishi.