Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri është kërcënuar me jetë dy herë brenda tre muajve të fundit. Siç thekson Zeqiri, kërcënimi i është bërë nga një person me emrin Stefan Markov i cili paraqitet të jetë “oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë i angazhuar në Kosovë”.
“Këtu jam dhe këtu do të jem Dem Baba Dem”, ishte përgjigjja e kryetarit të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri pas një kërcënimi që mori në rrjete sociale.
I pari i kësaj komune ka njoftuar se dy herë brenda tre muajve të fundit është kërcënuar nga i njëjti person.
Sipas tij, bëhet fjalë për një person me emrin Stefan Markov, i cili paraqitet të jetë oficer i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë i angazhuar në Kosovë.
“Ishte një kërcënim për të dytën herë nga e njëjta adresë përmes rrjeteve sociale, mirëpo ishte i njëjti njeri. Unë herën e parë nuk e kam pas bërë publike ani pse çdo gjë konsultohem edhe me organet e rendit dhe mbrëmë erdhi prej të njëjtës adresë ngjashëm kërcënimi me vrasje, do ta marrësh plumbin në ballë e me të shara dhe e pash të arsyeshme me bë publike”, tha ai.
Ai thotë se nuk frikësohet nga këto lloj kërcënimesh, edhe pse mesazhet që kishte pranuar ishin mjaft të rënda.
E për këtë rast është informuar edhe Policia e Kosovës.
“Po është e vërtetë që ne kemi pranuar një ankesë nga kryetari i Zubin Potokut lidhur me rastin kanosje e cila është bërë nëpërmjet rrjeteve sociale drejtuar atij. Ky është kërcënimi i dytë, konsiderojmë që është prej të njëjtit njeri, sidoqoftë ky rast është hapur tek ne por tani do ta shohim se ky rast a do të transferohet në Prishtinë, dhe të involvohen edhe Njësitë e Hetimeve”, tha Veton Elshani.
Herën e parë që ishte kërcënuar Izmir Zeqiri ka qenë më 31 Maj dhe tani më 2 shtator.
Krejt kjo dyshohet se ka ndodhur për shkak të mbajtjes së semi maturës nga ana e nxënësve afër objektit të komunës dhe kryetari kishte ndarë momente nga ai organizim.