Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Nuk ka dashuri të vërtetë”, u hodh nga kati i katërt i ndërtesës, çfarë postonte në rrjetet sociale 27-vjeçarja

27-vjeçarja që i dha fund jetës duke u vetëhedhur nga kati i katërt i një ndërtesë ishte aktive në rrjete sociale.

Në një prej postimeve thuhet se “nuk ka dashuri të vërtetë, dashuria është berë interes”.

Një 27-vjeçare në Kamëz të Tiranës, i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga tarraca e katit të katërt, pasi i publikuan foto intime në TikTok. E reja që kishte një vajzë 2 vjeçe ishte njohur me një personazh të TikTok-ut, Altin Çokun. Ky i fundit i ka bërë foto dhe e ka publikuar në rrjetet sociale.

Një ditë më parë u raportua se e reja kishte rënë aksidentalisht, por tashmë ngjarja merr një tjetër kthesë. Sipas policisë, e reja i ka dhënë fund jetës për shkak të fotos që i është publikuar në rrjetet sociale.

Në pranga për këtë ngjarje ka rënë një personazh i njohur i TikTok-ut, Altin Çoku, i cili dyshohet se ia ka publikuar foton intime vajzës në rrjetet sociale. Kjo foto më pas ka qarkulluar edhe në rrjete të tjera, si në grupe Telegrami.

“Ky shtetas dyshohet se ka publikuar një foto intime të 27-vjeçares, e cila dyshohet se për këtë shkak është vetëhedhur nga tarraca e katit të 4-t dhe si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën”, njofton policia.

E reja kishte konflikte me bashkëshortin shqiptar të Kosovës, me të cilin ka edhe një vajzë 2 vjeçe, dhe gjatë kësaj kohe ishte njohur me Altin Çokun. Gjatë kohës së njohjes mes tyre ai i ka bërë foto intime gruas dhe më pas ia ka publikuar në Tik-Tok. Ajo i kërkonte të hiqte foton, por ky herë pretendonte se nuk e kishte publikuar vetë, ndërsa herë të tjera i kërkonte të vijonin lidhjen.

Rasti bëhet edhe më i rëndë, kur Altin Çoku dilte më zë e figurë duke realizuar video live në TikTok, në të cilat fliste për foton e publikuar të vajzës në rrjetet sociale. Në këtë video ai pretendon se foton e ka publikuar një shok i tij dhe jo ai vetë. Burime bëjnë me dije se 39-vjeçari ka publikuar foto te ngjashme intime edhe kohë më parë dhe po hetohet edhe për një rast tjetër në Laç, ku ka shantazhuar një vajzë tjetër.

Familjarët e së resë thonë se nuk kishin parë shqetësime të vajza dhe nuk e dinin që kishte pasur lidhje intime me Çokun. Tezja shkon edhe më tej duke pretenduar se 27-vjeçarja nuk është vetëvrarë, por se dikush e ka shtyrë dhe gishtin e drejton tek 39-vjeçari dhe shokët e tij. Ajo thotë se e reja ka punuar si sanitare për tre ditë tek shtëpia e Çokut. Nga ana tjetër, daja i 27-vjeçares kërkon nga drejtësia që Çoku të dënohet me burg përjetë ose në të kundërt do bëjë vetëgjyqësi.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur më datë 10 shkurt, në rrugën “Teuta” në Kamëz. 27-vjeçarja nuk u ka mbijetuar dot plagëve të marra dhe ka humbur jetën në spital. Personazhi i TikTok-ut është arrestuar për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, ndërsa ende po vijohet me hetimet. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë, si edhe telefonin e së resë që kishte mbetur në tarracë, pasi ajo ndërmori aktin e rëndë./albeu.com