Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura ka deklaruar se bizneset të cilat kanë pësuar dëme materiale nga vërshimet e vitit të kaluar nuk janë kompensuar nga Qeveria qendrore, as pas 18 muajsh.
I pari i Skenderajt ka thënë se është për keqardhje mungesa e bashkëpunimit ndërmjet komunave dhe Qeverisë qendrore. Ai shprehet se kurrë nuk ka qenë kaq keq ky bashkëpunim.
“Për keqardhje, të them të drejtën, prej 2009 që jam në institucionet publike në funksione dhe përgjegjësi të ndryshme, një mungesë bashkëpunimi të tillë në përvojën time institucionale nuk e kam vërejtur asnjëherë. Nuk e di arsyen përse! Por bashkëpunimi në mes autoritetit qendror dhe lokal po i dëmton qytetarët, jo vetëm të Skenderajt, por nga ajo që kam informata edhe tek komunat e tjera”, ka thënë Nura.
Vlera e dëmeve nga vërshimet e muajit janar të vitit 2023 në këtë komunë është llogaritur në rreth 12 milionë euro.
Nura ka thënë se në mungesë të reagimit të Qeverisë së Kosovës për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur, Komuna është angazhuar përmes formave të ndryshme në mbledhjen e fondeve për t’iu ndihmuar familjeve. Më pas ka reaguar, qeveria edhe pse me vonesë dhe u ka dalë në ndihmë familjeve që janë prekur nga vërshimet; por duke përjashtuar bizneset.
“Në masë të madhe janë përjashtuar bizneset që nuk janë kompensuar. Ne si komunë jemi angazhuar përmes formave të ndryshme në mbledhjen e fondeve, i kemi trajtuar të gjitha familjet. Gjithashtu Qeveria në këtë drejtim, edhe pse me vonesë, iu ka dalë në ndihmë. Jemi duke punuar tek urat, infrastruktura, për çka nuk kemi përkrahje nga Qeveria, por me kapacitete vetanake jemi duke bërë ata që e kemi të mundshme dhe me çka kemi në dispozicion”, ka thënë kreu i Skenderajt per EO.
Nura ka shprehur shqetësimin që një pjesë e bizneseve në këtë komunë janë para kolapsit dhe se përkrahja e qeverisë për to duhet të jetë e menjëhershme.
“Një pjesë të dëmeve për familjet i kemi kompensuar ne në fazën fillestare, atëherë kur ka qenë koha më emergjente, pastaj edhe Qeveria i ka ndihmuar. Por fatkeqësisht bizneset, do të doja të shihja që më të vërtet që Qeveria po i përkrah, që një pjesë janë para kolapsit, deri sot nuk janë ndihmuar ende”, shtoi Nura.