Ish kryeministri nën hetim dyshohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim
Edhe mbrëmjen e sotme, një grup anëtarësh të “rithemelimit” dhe mbështetës të Sali Berishës, janë mbledhur poshtë banesës ku ish-kryeministri ndodghet në arrest shtëpie.
Ndërsa mbështetësit e tij brohorasin ‘O Sali, o hero, gjithë Shqipëria ty të do”, Berisha nuk ka lënë pa i përshëndetur duke dalë në dritare me dy flamujt, atë të Shqipërisë dhe atë të PD-së.
Kujtojmë se më 30 dhjetor 2023, Gjykata e Posaçme urdhëroi Berishën të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të në të njëjtën banesë, ndërsa për zbatimin e kësaj mase ngarkoi SPAK-un dhe shërbimet e policisë gjyqësore.
Sipas procedurave, mbikëqyrja policore parashikon shërbime të rregullta pranë banesës së Berishës për të ndjekur respektimin e kësaj mase nga ana e tij.
Ish kryeministri nën hetim dyshohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim në lidhje me çështjen e procedurave të privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani, gjatë të cilave SPAK-u dyshon se ai me akte nga më të ndryshmet ka ushtruar ndikim dhe presion, duke favorizuar dhëndrrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e atij trualli, që u mbush shpejt me një grup pallatesh.