Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

OBSH: COVID-19 shkurtoi jetëgjatësinë në botë

Pandemia COVID-19 shkurtoi jetëgjatësinë në botë për gati dy vjet, kur u përhap nga viti 2019 dhe 2021, duke zhbërë një dekadë përparim, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) më 24 maj.

“Pandemia COVID-19 përmbysi trendin e rritjes së qëndrueshme të jetëgjatësisë në lidhje dhe jetëgjatësisë së shëndetshme në lindje”, tha kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara.

Jetëgjatësia globale ra në 1.8 vjet, përkatësisht në 71.4 vjet apo në nivelin e njëjtë sa ishte më 2012, u tha në studimin e kryer nga OBSH-ja.

Periudha kohore që mesatarisht një person mund të presë që të jetojë me shëndet të mirë ra në 1.5 vjet apo në 61.9 vjet më 2021 – niveli i njëjtë sa ishte më 2012.

Ndikimi i pandemisë te jetëgjatësia është edhe më i keq sesa gjetjet e një studimi të publikuar nga revista shkencore Lancet në janar, ku u tha se jetëgjatësia gjatë pandemisë ra për 1.6 vjet.

Hulumtuesit e atij studimi deklaruan se COVID-19 kishte “më shumë ndikim” në jetëgjatësi sesa çdo ngjarje tjetër gjatë gjysmëshekullit të kaluar.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se shifrat vënë në pah rëndësinë e një marrëveshjeje për sigurinë botërore gjatë pandemive, për të cilën po zhvillohen negociata në Gjenevë. Sipas tij, një marrëveshje e tillë do të “forconte sigurinë botërore shëndetësore, por do të mbronte edhe investimet afatgjata në shëndetësi dhe do të promovonte barazinë në mesin e shteteve”.

Hulumtuesit e Lancet vlerësuan se COVID-i ka shkaktuar 15.9 milionë vdekje gjatë viteve 2020-2021. Vdekjet janë shkaktuar qoftë nga virusi apo nga pengesat e shkaktuara në sistemin shëndetësor si pasojë e pandemisë. /REL