Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, kanë shprehur shqetësimin e thellë për vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që t’i merret licenca e biznesit kompanisë Klan Kosova.
OEK vlerëson se ky vendim nuk është në përputhje me procedurën administrative gjegjëse prandaj kërkon që vendimi të rishikohet.
“OEK është e shqetësuar edhe më tepër me implikimet që sjell ky vendim, sidomos me mundësinë që të mbyllet Klan Kosova si medium. Klan Kosova është ndër mediat që ka bërë më së shumti për promovimin e bizneseve vendore, prandaj çdo cenim i medias Klan Kosova është edhe cenim i promovimit të prodhimeve kosovare. Për më tepër OEK është e shqetësuar edhe me implikimet që një vendim i tillë, pa repsektuar proceduarat administrative, do të ketë në imazhin e Kosovës si vend që tenton të tërheq investime të huaja. Prandaj, OEK apelon për vendimmarrje të drejtë, të bazuar në procedurat e ligjet gjegjëse si dhe respektim të të drejtave të bizneseve por edhe për pacenueshmëri të lirisë së shprehjes”, thuhet në reagim.
Kurse, në reagimin eOdës Ekonomike Amerikane në Kosovë theksohet se ky vendim jo vetëm që shkel dispozitat e Ligjit për Shoqëritë Tregtare por dërgon një mesazh shqetësues për komunitetin e biznesit dhe investitorët potencialë.
“Si përfaqësues të komunitetit të biznesit amerikan në Kosovë, ne besojmë fuqishëm në respektimin e parimeve të praktikave të drejta dhe transparente të biznesit, si dhe në mbrojtjen e të drejtave të bizneseve që operojnë brenda vendit. Pezullimi arbitrar i certifikatës së regjistrimit të biznesit të Klan Kosovës ngre shqetësime për stabilitetin dhe parashikueshmërinë e mjedisit të biznesit në Kosovë. Veprime të tilla gërryejnë besimin e komunitetit të biznesit, si vendor ashtu edhe ndërkombëtar, dhe dekurajojnë investimet. Vendimi bie ndesh me parimet e Ligjit për Shoqëritë Tregtare, i cili synon të krijojë një mjedis të favorshëm për bizneset për të lulëzuar, kontribuar në ekonomi dhe për të krijuar mundësi punësimi. Ky vendim nxjerr në pah nevojën për një gjyqësor të pavarur dhe procedura transparente ligjore. Vendimi i Ministrisë për të pezulluar certifikatën pa arsyetimin e duhur ose pa një proces të rregullt ligjor cenon sundimin e ligjit. Është thelbësore që çështjet ligjore, si pezullimi i certifikatave të regjistrimit të biznesit, të trajtohen përmes proceseve të drejta dhe transparente, duke siguruar që bizneset të kenë mundësinë të mbrojnë interesat e tyre dhe të trajtojnë çdo shqetësim në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme. Po ashtu, pezullimi i certifikatës së regjistrimit të biznesit të Klan Kosovës ka implikime më të gjera për lirinë e mediave dhe mbrojtjen e pavarësisë së gazetarisë. Mediat luajnë një rol kritik në promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe demokracisë. Çdo veprim që kufizon funksionimin e organizatave mediatike i minon këto parime dhe ngre shqetësime për gjendjen e lirisë së shtypit në Kosovë. Vendimi krijon një precedent shqetësues dhe mund të pengojë mediat e tjera të raportojnë lirisht dhe objektivisht”, thuhet në reagimin e OEAK.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që të rishqyrtojë vendimin e saj për pezullimin e certifikatës së regjistrimit të biznesit të televizionit Klan Kosova.
“Respektimi i parimeve të Ligjit për Shoqëritë Tregtare dhe sigurimi i një mjedisi biznesi transparent dhe të parashikueshëm janë jetike për nxitjen e rritjes ekonomike dhe tërheqjen e investimeve. Për më tepër, ruajtja e lirisë së medias dhe promovimi i pavarësisë gazetareske janë thelbësore për një demokraci të qëndrueshme. Ne i bëjmë thirrje Ministrisë që ta korrigjojë këtë situatë, të rikthejë besimin në komunitetin e biznesit dhe të riafirmojë përkushtimin e saj për respektimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të bizneseve në Kosovë”, thuhet në reagim.