Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Operacioni policor në veri, qeveria kërkon mbështetje por gjen akuza për nxitje të tensioneve

 
   

Operacioni policor për mbylljen e institucioneve financiare serbe në katër komunat veriore e ka vënë sërish Kosovën para kritikave të ndërkombëtarëve.

Pavarësisht se operacioni është i ligjshëm, Qeverisë i kërkohet që vendimet të jenë edhe strategjike në këtë kohë të ndjeshme.

“Nëse ne fajësohemi si nxitës të tensioneve ka rrezik që ne të humbim betejën në rrafshin e dialogut të cilin ne vetë e kemi pranuar prandaj Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme që vendimet zyrtare natyrshëm që mund të jenë të ligjshme, dhe i tillë ishte edhe ky, por vendimet Qeveria e Kosovës ne këtë kohë të ndjeshme, jo vetëm rajonale por edhe globale, duhet t’i ketë përveç anës ligjore edhe strategjike”, tha ish-zv/ministri i Brendshëm, Valdet Hoxha.

Në Prishtinë, ka edhe zëra që thonë se operacioni erdhi për konsum të brendshëm politik pas dështimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Ndoshta ky aksion i marr tanimë do të ishte në një momentum më të volitshëm për mbylljen e këtyre pikave. Më shumë e kam pa si një lloj kompensim për opinionin publik për dështimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, tha politologu Fidan Ukaj.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës këmbëngul se ndërkombëtarët duhet ta mbështesin në përpjekjet për të shtrirë ligjshmërinë në të gjithë territorin e vendit.

“Besoj që edhe miqtë e partnerët tanë, aksionet të cilat janë në përputhje me legjislacionin në fuqi që kanë për qëllim shtrirjen e rendit e ligjit në çdo pjesë të territorit të Kosovës, duhet që t’i mbështesin dhe të na ndihmojnë në këtë përpjekje”, tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Vendet e QUINT-it si dhe Bashkimi Evropian akuzuan Kosovën se operacioni policor nuk ishte një veprim i koordinuar dhe se rrezikon të nxisë tensione të reja.