Në Shqipëri, një operacion i drejtuar nga Prokuroria e Posaçme ka çuar në arrestimin e drejtuesit të Prokurorisë së Kukësit Xhevair Lita, ish drejtorin e Forcës operacionale në polici Oltion Bistri, biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish punënjës policie dhe emra të njohur të botës së krimit.
Arrestimet kanë ardhur pas hetimit të disa vrasjeve dhe tentativash vrasje, ky dyshohet të jetë i përfshirë dhe Ervis Martinaj, një eksponent i krimit të organizuar, i zhdukur prej një viti për të cilin është nxjerrë njër urdhër arresti i dytë lidhur me këtë operacion.
Gazetarja Klodiana Lala e news 24 bën me dije se mes të kërkuarve në dosje del edhe emri i Prekë Kodrës, i skeduar edhe si personi që dyshohet se do vriste kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Ende nuk është mësuar si përfshihet ai në këtë dosje hetimore.
Kush është Prekë Kodra
Sipas një dokumenti të qarkulluar në 2022, roli i Prek Kodrës në serinë e atentateve që kishin për qëllim destabilizimin politik të Kosovës, ishte ai i atentatorit/vrasësit. Policia shqiptare e përshkruante Prekun (që në disa dokumente quhet Prekë) si person që dinte se si të përdorte edhe armën e zjarrit snajper, madje ishte ekspert për të.
Paraprakisht mësohej që planifikohej të vritej Ismet Haxha, dhe më pas Xhavit Haliti. Një muaj pas vrasjes së deputetit të PDK-së, do të vritej edhe Albin Kurti për t’u dukur si akt hakmarrjeje.
Prek Kodra, ishte arrestuar në verën e vitit 2011 pasi kishte penguar mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Shalë të Shkodrës. Prek Kodra është ndaluar nga policia e Kosovës në 24 nëntor 2021. Atë e kanë ndaluar duke hyrë për Kosovë me akuzën se mbante para false. Ai kishte 15 mijë euro me vete, ndërsa mësohet se e kanë hetuar 72 orë. Prek Kodra është liruar më date 26 nëntor 2021 pasdite.
Operacioni i prokurorisë
Kujtojmë se 15 personat që SPAK lëshoi urdhër arreste, 6 të arrestuar tashmë dhe 9 të shpallur në kërkim janë: Të arrestuar: Pëllumb Gjoka, Edmond Preka, Ardit Hasanbega, Astmer Bilali, Oltion Bistri, Xhevahir Lita. Të shpallur në kërkim: Behar Bajri Brahoviç, Ervis Martinaj, Denis Bajri Brahoviç, Klaudio Haka, Prekë Kodra, Aleks Ndreka, Arsat Bashli, Bardhyl Mavraj, Elion Hato. Hetimet për goditjen e këtij grupi nisën më 16 Janar të këtij viti. Në kuadër të këtij procedimi, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese belge, holandeze dhe franceze, ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitet kriminal në Shqipëri dhe në disa vende europiane. Po ashtu është hetuar edhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri në vitet 2019-2022./Express