Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), në mbledhjen e sotme, ka aprovuar tarifat me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët fundor që furnizohen në kushte të shërbimit universal.
Sipas këtij vendimi të ZRrE-së, ulje të tarifave prej 8% për konsumatorët familjar për bllokun me konsum mbi 800kWh dhe ulje e tarifave prej 3% për konsumatorët komercial dhe industrial.
Për Ferat Shalën e PDK-së, i cili është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, kjo ulje e tarifave së energjisë po bëhen në prag të zgjedhjeve dhe ky është një ndikimin i Qeverisë Kurti tek ZRrE-ja.
‘’E përshëndesim këtë vendim për ulje të çmimit në favor të qytetarit edhe pse ky vendim i prekë vetëm një pjesë të qytetarëve. Kjo është zbritje simbolike dhe po bëhet në prag të shpalljes së zgjedhjeve të përgjithshme dhe kjo është pjesë e ndikimit politik, për të krijuar një situate komplet të re. Fatkeqësisht kjo është ndërhyrje më e butë për faktin se kjo Qeveri nuk ka rezultate tjera’’, potencoj Shala.
Ndërkaq, për ish-ministrin e tregtisë dhe industrisë, Vesel Krasniqin, ky vendim është më shumë kamoflazh se sa zbritje. Sipas tij, ky vendim do të ishte i mirë sikur çmimi do të kthehej siç ishte para një viti, por jo tash.
‘’Unë mendoj se kjo është një kamuflazh ndaj qytetarëve, sepse ngritja e çmimit pa asnjë arsye në 100% një vit më parë dhe pa asnjë studim duke i ngarkuar qytetarët në këtë krizë ekonomike është i pajustifikueshëm’’, thotë Krasniqi.
Ish-ministri Krasniqi thotë se çmimi i energjisë elektrike po shkakton probleme ekzistenciale për qytetarët e Kosovës ‘’Duke pasur parasysh se me pagat momentale që kemi në Kosovë dhe ngritjen e të gjitha çmimeve, produkteve, plus kur e shton edhe çmimin e e rrymës këtu po shkakton probleme të mëdha’’ thekson ai.